Milanista, urime viti i ri!
Ka kohë që nuk kam shkruajtur në ACMilan-Shqip dhe kanë ndryshuar shumë gjëra që nga shkrimi i fundit. Kryesisht komentet që jepen janë kundër pikëpamjeve të mija kontraverze, dhe më vjen mirë që ndodhi ky konstruktivitet dhe që së paku dikush ka kohë të tepërt të lexoj shkrimet e mija. E di që ka shumë veta që i lexojnë dhe nuk komentojnë, ka të tillë që i lexojnë dhe nuk komentojnë por m’i thonë në sy ato që i mendojnë. Sido që të jetë ka mjaft që lexojnë, dhe falemnderit të gjithëve që keni lexuar vitin e kaluar.
Nejse, mjaft me ato fjali me kuptim të pshtjelltë. Kalojmë tek tema, që si zakonisht është Milani. Kështu vitin e ri rosonerët e pritën në Dubai, dhe shumë nga ne kemi parë ato fotografi të mahnitshme të futbollistëve kuqezi nga Dubai. E tërë kjo u mbyll me një titull, me një kupë, që me 31 dhjetor të këtij viti ose do të jetë e harruar krejt, ose do të jetë e vetmja kupë nga ky vit! Nëse keni shikuar lojën atë ditë, keni humbur nja 120 minuta të jetës tuaj. Sinqerisht nuk di si mendojnë të organizojnë kampionat botëror në Lindjen e Afërt ku disa stadiume nuk kanë as ndriçim të hajrit. Gjatë fillimit të stinorit, kur Pirlo nuk ishte në formë të mirë, dhe jo që është përmirësuar nga atëherë, nëpër mendimet e mija të turbullta qarkullonte një ide për të zëvëndësuar Tiago Silvan me Pirlon. Pro dhe kontra e kësaj do të ishin të shumta. Të dy janë lojtarë të ndryshëm. Pirlo është i qetë, i ngadaltë, teknik, dhe i lodhur kohëve të fundit. Silva është i shpejtë, i fortë, fizik, dhe plot energji. Me Silvan si mesfushor qëndror do të kemi një ndihmë më të madhe për mbrojtjen, një rrufe lëshues drejt portave kundërshtare, të gjithë e dimë për goditjet e tija, dhe një mbrojtës që nuk do të lejonte kundërshtarët të kalonin lehtë nëpër mesfushë, duke ndaluar shumë kundërsulme kundërshtare. Kjo do të ndihmonte që njëri nga mesfushorët ofanziv, ose sulmuesit anësor si Ronaldinjo të ishte më kreativ dhe të organizonte sulmet. Dinjo është duke fluturar për Brazil, dhe thjeshtë kjo teori bie në ujë. Do të ishte një revolucion i vogël, por ne nuk jemi të mësuar me revolucione, por me “reforma” të imta.
Nga ndeshja kundër Al Ahlit, do të përmend edhe Jepesin për të cilin kam deklaruar që ma shumë shkakton telashe se që ndihmon skuadrën. Pati një “ndeshje” me Nesta të cilin e gjakosi, më herët goditi një kundërshtar me kokë dhe… pak a shumë ishte krejt që bëri në atë ndeshje. Kasano të cilin e pritëm me gjithë atë eufori, disa herë ishte në ofsajd në pjesëlojën e parë, dhe një herë në vend që të godiste në portë, “pasoi” për portjerin kundërshtar.
Vërtetë më vjen keq që cilësi të cilët treguam në pjesëlojën e dytë mund t’i shohim vetëm në Emirates Cup gjatë verës, apo ndeshjet përgatitore. E kam fjalën për Merkelin dhe Berretan. Montelongo s’besoj që do të mbetet tek ne, por do të përfundoj disi si Grimi, nëse e blejmë sepse është vetëm i huazuar. Ju kujtohet Grimi?! S’ka lidhje edhe nëse nuk e mbani në mend!
Në fakt Merkeli nuk ishte në formë, por ai që shkëlqeu ishte Bereta. Ai tregoi lojë fantastike, jo vetëm goli, por disa veprime të tij në lojë ishin të mahnitshme. Një herë mashtroi aq mirë mbrojtjen sa që ishte mëkat që nuk shënoi. E sa për mbrojtjen e Al Ahlit, nuk kishin armë që mund t’a ndalnin Beretan. Gjynah që nuk do ta shohim këtë lojtar deri në qershor, apo ndoshta hiq.
S’ka qenë ndonjë ndeshje e madhe ashtu që nuk do të ndalem më shumë këtu. Dua të përqëndrohem në planet afatgjata, vjetore. Duhet të shohim disa gjëra. Jemi plakur. Nëse edhe këtë vit vazhdojmë kontrata, vitin e ardhshëm do të jetë vonë. Së paku 6 lojtarë duhet të largohen, lojtarë që kanë paga të mëdha. Nuk mund të mbështetemi në futbollistë të vjetër në mesfushë dhe mbrojtje. Nuk kemi kushedi çfarë skuadre pos në repartin sulmues, edhe pse s’besoj që Kasano do të jetë i hajrit për neve. Nuk kemi nevojë për transfere të shumta. Kemi akademinë, kemi cilësi, është koha që të dalin në pah Maldinat e Albertinat e rinj. Të lëmë Ballotellin e ish-interistat. Atyre s’u ka mbetur gjë pos të merren me ish-milanista. S’kem nevojë të ulemi aq poshtë.
Dhe për fund kur jemi tek Milani e kam vetëm një dëshirë. Dëshiroj të fitojmë me 17 dhjetor këtë vit.
Luan Morina
Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia
Twitter: @morinaluan
Formspring: luanmorina