Kur thotë Besi i Agon Myftarit që në katund pa i rreh nja dy-tre veta kur të shkoni herën e parë, nuk ju marrin seriozisht edhe gjithmonë ju shtypin, mos e merrni krejt për hajgare :p
Por, diçka ngushëlluese mundet me qenë fakti që edhe nëse si 21 vjeçar deklaron që je tmerruar prej një filmi, ju pret i njëjti fat. Për këtë arsye, vet sot gjeta guximin të shkruaj për rrëqethjet që ende i ndjej sa herë që më përmendet ‘No Country for Old Men’.
Dhuna në këtë film është e një shkalle ekstreme kur fillon të shikosh filma ‘serioz’ të cilët nuk e kanë prapashtesën e aXXo. Dhe krejt nis kur një ujdi droge përshkallëzohet me dy milion dollar të humbur në kufirin meksikano-amerikan.
Dy milion dollarë mund t’i kemi secili në shtëpitë tona, por ja që Anton Çigurgu nuk e kishte ditur këtë fakt atëherë, dhe lëshohet në kërkim të këtyre parave. E ky kërkim do të lë pas viktima të vrara në mënyra mizore rrallë të para.
Nëse e shikoni fytyrën e Javier Bardemit në këtë film dhe nuk ndjeni ndonjë rrëqethje, atëherë ose ju nuk jeni normal, ose unë nuk jam normal. Nejse, nuk ke krahasimi ma i mirë ndoshta, por së paku nuk jam filozof i ‘gepekëve’.
Aktrimi i Javier Bardemit është monstruoz. I njohur më parë për role romantike si tek ‘Jamon Jamon’ me Penelope Cruz, fytyra e Bardemit do të mbetej një përbindësh edhe tek ‘Vicky Cristina Barcelona që do të dilte dy vite më pas. Dhe tek ‘No Country for Old Men’ janë disa skena ku aktrimi i tij është i pafjalë. Thjesht e merr mbi supe filmin duke lënë në plan të dytë Tommy Lee Jones e Josh Brolin, të dy fenomenal.
E kur jemi tek ata pas kamerës, atëherë Coen…
Nuk është vepra më e mirë e Coenëve – Fargo ende mbetet në krye; nuk është as më e dashura nga Coenët për mua – Inside Llewyn Davis ende mbetet në krye. Por është ndër veprat më të veçanta. Disi është jashtë binarëve të tyre, por pastaj edhe është në binarët e tyre. Është një ‘eksperiment’ artistik i tyre, i cili rezulton me një film të çuditshëm, për së miri ama.
Është film që disi del të jetë i kompletuar, por me përbërës krejt tjerë, sikur të përgatitesh torte me çimento, e në fund torta të del e mirë! E di, e di…
Ndoshta 2007 nuk ka qenë viti ma i mirë i filmave. Rivalë për tek Oskari i filmit më të mirë ka pasur ‘Juno’ e ‘Atonement’, por edhe ‘There Will Be Blood’, që mendoj se mund të jetë i mbivlerësuar. Më duhet ta shikojë përsëri, ndoshta shoh diçka që nuk kam parë atëherë!
‘No Country for Old Men’ mbetet një film i pazakontë, ama i kompletuar! Nota personale: 4/5