Categories
TV Reviews

Normal People – Miniseri

Nuk e kuptoj pse njerëzit shkruajnë në muret e Fejsbukut dedikime për të vdekurit! Që t’i lexojnë tjerët, apo që vetëm të shfryjnë veten, kur e dimë që të vdekurit nuk mund t’i shohin ato?

Por është një mënyrë e përballimit të pikëllimit, mendon Mariana.

E pakuptimtë më duket edhe shfaqja publike e dashurisë, qofshin kontakte intime qofshin edhe dedikime në muret e Fejsbukut, për ditëlindje apo diçka tjetër. Pse e bëjnë këtë? Për tu dëshmuar të tjerëve ndjenjat, apo ndoshta zhdukin botën përreth dhe nuk shohin gjë tjetër pos asaj që kanë para?

Për këtë, pajtohemi me Konellin.

Mariana dhe Konelli janë karakteret kryesore të serisë ‘Normal People’. Të dy janë gjimnazistë të një vendi rural në Irlandë, me Marianën që vjen nga një familje e pasur, tek e cila familje tri herë në javë me pastërtinë merret nëna e Konellit.

Ndonëse të dy të mbyllur për nga karakteri, vetëm Konelli provon të përshtatet me shoqërinë. Në anën tjetër Mariana është ajo e çuditshmja, e zgjuara, por edhe e pashoqërueshmja. Dhe po, mund të themi që kemi një rrugëtim të një karakteri të njëjtë në thelb që merr dy rrugë të ndryshme, e që në këtë mini-seri vjen si dy karaktere të ndryshme.

Të dy arrijnë të krijojnë një lidhje që nuk ngjan me njerëzit normal, me lidhjet që kanë njerëzit normal.

Dhe kjo lidhje kalon nëpër disa faza, derisa jeta e tyre personale kalon nga ajo e adoleshencës nëpër stade të ndryshme të jetës. Ndonëse njohin persona tjerë, jetojnë në ambiente tjera, kjo lidhje e tyre e papërcaktuar mbijeton, nganjëherë si e vetmja armë kundrejt forcave rrënuese të jashtme që atakojnë si njërin, ashtu edhe tjetrin.

Bazuar në libër me të njëjtin titull, skenari arrin të kap momentet kyçe në këto dymbëdhjetë episode gjysmë-ore. Dialogët ndërmjet Marianës dhe Konellit janë goxha të thellë në raste, derisa të dy provojnë të shpërfaqin karakteret e tyre ‘jo-normale’ dhe njëkohësisht të arsyetojnë vetveten e tyre. Dhe këto vetëm sa shkojnë e bëhen më të qarta e më emocionale me kalimin e episodeve.

Edhe në skenat kur karakteret dytësore janë me bollëk, kamera shpesh sjellë fytyrat e Marianës apo Konellit. Është një seri për vetëm dy karaktere! Dhe pamje të bukura fotografie, sidomos në pjesën e parë të serisë me peizazhin e natyrës irlandeze, dhe motit tipik të ishullit të gjelbër.

E aktrimi të lë pafjalë!

Ka skena e momente të cilat kërkojnë përkushtim, dhe kanë barrë jo të lehtë për tu përtypur, por të cilat zotërohen nga Daisy Edgar-Jones e Paul Mescal si është më së miri. Janë shumë skena të dhunshme, të cilat fillimisht më janë dukur të panevojshme, por prapë e kuptoj qëllimin për të përçuar mesazhin e historisë.

E mesazhin mund ta komentojmë në shumë mënyra, secili nga aspekti personal, dhe ky përfundim nuk ka nevojë të pranohet nga rrethina, ngjashëm si vet karakteret e Marianës e Konellit.

Ngjashëm si nuk është e nevojshme të kuptojmë pse dikush shkruan referate në murin e një të vdekuri, e pse dikush puthet frëngjisht në autobus. Mjafton që ata të kuptojnë vetveten. Mjafton që të gjejnë mënyrën e përballimit me pikëllimin e dhimbjen. Ndonëse për dikë kjo kërkon pikëllimin e dhimbje shtesë.

Është seri e pazakontë. Është seri për zemra e ndjenja të turbullta, një rrugëtim drejt ‘kthjellimit’ të tyre. Nota personale: 5/5