Categories
Filma

Of Miracles and Men – Recensim

“Nëse ndjek dikë, gjithnjë do të mbetesh pas tij,” thotë e bija e Anatoli Tarasovit në dokumentarin e radhës ’30 For 30’ të ESPN.

Edhe pse fans mesatar i hokejit mbi akull, dija për historinë e këtij sporti ka qenë e kufizuar në dy dekadat e fundit dhe atë ekskluzivisht për të bëmat përtej Atlantikut. Tema e këtij dokumentari paraqiste një mundësi të mirë për të mësuar pak më shumë për hokejin kontinental, ndër të tjera edhe arsyet e emërtimit të njërit nga divisionet e KHL-së.

‘Prej mrekullive dhe njerëzve’ sjell historinë e lindjes, zhvillimit, dhe përfundimit të hokejit sovjetik. Ka qenë Tarasov i ngarkuar me detyrën për të vënë themelet e hokejit mbi akull në Bashkimin Sovjetik. I është dashur të konvertoj dhe të adaptoj lojën klasike ruse mbi akull me atë që njihet si ‘hokeji kanadez’, për të dëshmuar aftësitë e përgjithshme të Sovjetikëve në botë. Dihet që sporti ka treguar edhe fuqinë e një vendi gjithmonë, sidomos në periudhën e Luftës së Ftohtë – një luftë që është fituar bindshëm nga rusët sa i përket hokejit mbi akull.

Dokumentari vë Tarasovin në pozitën e një legjende, miti, rilindasi, dhe mbi të gjitha një mësuesi të dashuruar në lojën e hokejit mbi akull. Vet zhvillimi i ngjarjeve të bën ta duash këtë njeri, dhe të kesh një respekt inspirues nga ai. Kjo ndihmohet nga Viktor Tikhonov që e zëvendëson atë në krye të karriges së trajnerit të kombëtares ruse. Dallimet e tyre janë të mëdha në të gjitha sferat pos atë të sukseseve. Sukseset vijnë nga një ekip i mahnitshëm, mistik.

Slava Fetisov zotëron pjesën e fundit të dokumentarit duke u glorifikuar me mëritë në njërin nga revolucionarët e hokejit rus. Tregimi vjen në atë formë që Slavën e bën njeriun që rrumbullakson një histori të nisur nga Tarasov, një histori me fund të lumtur përkundër të gjitha peripecive.

Nuk mbetet pa u diskutuar edhe politika e SHBA-ve dhe Rusisë, sidomos kësaj të fundit që në një mënyrë ka gllabëruar sportin të cilin e zhvillon me anë të karakterit dhe disiplinës shembullore.

Në përgjithësi është një dokumentar inspirues, që sjell tregimin madhështor për një pjesë të historisë, të shtyllave të historisë së sportit sovjetik. Por, nuk kufizohet vetëm me sportin që luhet në akull. Me intervistimin e njerëzve që kanë bërë këtë histori, filmi të sjell një dozë shtesë respekti dhe keqardhje në të njëjtën kohë për ta. Është një histori që të kënaq, e shtjelluar dhe realizuar për merak. Nota personale: 5/5