Kafsha pa emër është vetëm një kafshë e thjeshtë, anonime. Në momentin që i lëni emër, atëherë thuajse automatikisht krijohet një lidhje shpirtërore. Edhe për pulat! E tashti pasi është vera e kombëtareve, Rusia 2018, zogjtë që duhet të lindin nesër, ose të martën, do të marrin emrat e kombëtares së Gjermanisë! Brazili, Reali, Milani, e Gjermania janë ekipet që alternojnë çdo verë tek emrat e zogjve të pulave! Dhe si rrjedhojë, këta zogj kur rriten e plaken nuk prihen për t’u ngrënë, sepse nuk hahet ajo që i lë emër!
Në një të ardhme të afërt, me anë të manipulimeve gjenetike janë krijuar kafshë të mëdha dhe janë shpërndarë anembanë botës. Në viset malore të Koresë Jugore, një vajzë Mija është rritur me të gjyshin dhe një nga kafsha në fjalë, të cilën e ka quajtur Okja. Kontrata fillestare me gjyshin e Mijas ka qenë që pas një kohe, Okja do t’i kthehet korporatës që e ka dhënë me qira, kontratë për të cilën nuk ka qenë e njoftuar Mija. Ajo refuzon të ndahet nga mikja e saj e veçantë, dhe nis të rezistoj marrjen e saj nga të dërguarit e korporatës, e cila udhëhiqet nga binjaket Mirando, të portretizuara nga Tilda Swinton. Jake Gyllenhaal vjen në një karakter goxha komik të një autori programesh për kafshë, bashkë me Paul Dano, Giancarlo Esposito, e Steve Yeun. Mija vjen nga Ahn Seo-hyun, e gjyshi i saj nga Byun Hee-bong. Regjia është nga Bong Joon-Ho, me veprën e të cilit, për shkak të preferencave të mija personale, sigurisht që nuk jam i njoftuar.
Por, Okja është një tregim i këndshëm për një miqësi të një vajze me një kafshë të pazakontë. Është skenar që sjell një aventurë plotë fotografi magjepsëse për dy orë. Një aventurë që do ju kënaq, ndonëse ka qenë kontroverse gjatë shfaqjes nëpër kinematë e Lindjes së Largët, ndonëse është prodhim i Netflix. Nota personale: 4/5