Henry Fonda dhe Katharine Hepburn janë xhevahire të kinematografisë.
Karriera e të dyve në periudhën e artë të Hollywoodit është pothuajse e pashoqe, e lidhur përjetësisht me disa nga titujt më të mëdhenj të asaj periudhe, filma që definojnë vet filmin si formë e të shprehurit vizual të artit.
Filmi ‘On Golden Pond’ shërben si një finale, para lëshimit të perdes së karrierave të tyre, në një histori tregimi që jep një ode të merituar jo vetëm atyre, por çdo bashkëmoshatari të tyre në vitet e fundit të jetës.
Dhe pleqëria është një periudhë e koklavitur, kur dita ditës fillon të lësh aktivitete të preferuara, e edhe më keq, kufizime në ato që të kanë kënaqur më së shumti – ushqime, derisa provon të funksionosh ashtu që mos të ndiesh barrë e dikujt tjetri.
Pleqëria është sikur fëmijëria, vetëm se në pole të kundërta. Prandaj fëmijët dhe pleqtë janë ndër shoqërimet më të çiltra që mund të shohin në shoqërinë humane.
Norman dhe Ethel shkojnë në pushimoren e tyre pranë një liqeni, në Kënetën e Artë, me Ethel që pranon të kujdeset për Billin – të birin e të dashurit të ri të bijës së tyre, Çelsi.
Kjo treshe do të kalojë disa çaste të këndshme, dhe të papritura për Normanin, i cili si çdo plak ka dyshimet e tija që të gjithë të rinjtë janë kundër tij.
Aktrimi i Katharine Hepburn e Henry Fonda të kënaqë. Harmonia e tyre skenike, si dy karaktere me pikëpamje të ndryshme në botën, njerëzit, natyrën, dhe mbi të gjitha të bijën e tyre, i jep kuptim këtij filmi.
Pjesa vizuale, me një natyrë ujore e pyjore, sjellë disa skena të mahnitshme, sidomos pjesën me zogëzat në fillim të filmit është mbresëlënëse. Skenari është fantastik, me disa dialogë prind-fëmijë, që mbërthejnë në vete krejt idenë e filmit.
Është ndër filmat më të këndshëm që na sjellë kujtimet për gjyshërit tanë, e dikur edhe për një të ardhme të vonshme për të shikuar para. Së paku për kohën që nuk mbetet vetëm njëri. Nota personale: 5/5