Categories
Filma

Once Upon a Time in… Hollywood (2019)

Zhgënjimet më të mëdha në jetë vijnë nga pritjet e tepërta nga njerëz, ngjarje, e edhe filma. Prandaj, insistoj se zakonisht para se të shikoni një film duhet të dini disa informata bazë, dhe një njohuri paraprake me temën apo emrat e përfshirë në film, do të ju rregulloj nivelin e pritshmërisë, sidomos kënaqësinë që do të fitoni nga ai film.

I tillë është edhe ‘Once Upon a Time… in Hollywood’!

Filmi i Quentin Tarantinos, për 160 minuta ju shpien në njërën nga periudhat e arta të Hollywoodit ‘modern’. E quaj modern pasi veprat më të kënaqshme për mua janë ato që mbarojnë në fillimin e viteve të 1960’ta, para se Hollywood të nisë të shndërrohet në njëfarë pishtari i rrënimit të themeleve shoqërore të deriatëhershme në shoqërinë jo vetëm amerikane.

Ndonëse i vendosur pas asaj që unë e konsideroj ‘periudhë e artë’ e filmit, në vitin 1969, ‘Once Upon a Time in… Hollywood’, mishëron realitetin e atëhershëm me disa karaktere e ngjarje nga fantazia e Quentin Tarantinos. QT në këtë film ‘prish’ rendin e ngjarjeve, ndër më të tmerrshmet në Hollywood, duke vendosur Rik Dalltonin dhe Kllif Buthin – i pari aktor i njohur matanë zenitit të karrierës së tij, i dyti zëvendësuesi i tij në aksionet e rrezikshme. Dhe është kjo ndoshta ndër pikat e ndryshimeve të Hollywoodit, përdorimi i ‘binjakëve inferior’ në skena të rrezikshme duke kursyer e ruajtur yllin i cili në këtë rast veçse është duke u shkatërruar nga duhani e alkooli.

Pos një lidhjeje të këndshme ndërmjet dy karaktereve që kapërcejnë kufijtë profesional, rrëfimi i QT shkon edhe në jetën private, duke gërshetuar realitetin me palë të treta që i lidhë në temë. Ndoshta këtu, tek futja e palëve të treta nga realiteti si karakteri i Margot Robbie, humb ai racionaliteti për një shikues që nuk ka njohuri me historinë e saj. E kjo është lidhja, jo vetëm me karakterin e saj, që i jep kuptim filmit, i cili sa afrohet kah fundi aq më shumë bëhet i kuptueshëm e i përkryer.

Pra, i kuptoj ata që nuk e kanë pëlqyer, qofshin edhe fansa të QT, ani pse s’mbeten të zhgënjyer me pjesën teknike sidomos. As me aktrimin i cili është i mrekullueshëm nga të gjithë të përfshirit. E më së ëmbli ishte Trudi, Julia Butters, të cilën fansat e komedisë ‘American Housewife’ veçse e dinë sa aktore e këndshme që është.

E kur jemi tek fëmijëria, cili do të ishte momenti që do të ndërronit po të mund të udhëtonit në të kaluarën tuaj? Për shembull në moshën 6 vjeçare që është mosha e fundit kur kënaqet një fëmijë (sepse shkolla është kurthi i parë ☹), sa edhe ka qenë Tarantino në vitin 1969?

Sigurisht që është e pamundur të ktheheni mbrapa, por së paku mund të shkruani, ose fantazoni se çfarë do të ndryshonit. Ose do të bënit një film si Quentin Tarantino.

E ky film, ‘Once Upon a Time in… Hollywood’ është një ndreqje e të kaluarës nga Tarantino, një fëmijëri e cila do të ishte sikur në filma po të mos ndodhte trishtimi i parë, e që për shumicën këtu ka qenë lufta! Mbi të gjitha, është një ode për kohën e artë të Hollywoodit, para se të ‘përshkallëzohej’ qëllimi i artit, i realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Nota personale: 5/5