A e dini që edhe unë kam podcast?

Sigurisht që jo, sepse krejt kanë filluar podcast, veçse nuk e di tjerët a incizojnë duke shëtitur qenin në natyrë apo duke kryer nevojat fiziologjike, edhe pse tualeti ka një jehonë të përkryer për incizim, dhe jo vetëm në 2-3 muaj!

Mania e podcastëve krimi ka pasuar maninë e dokumentarëve krimi në Netflix, nisur nga Making a Murderer të cilin nuk e kam parë akoma!

Por, kam parë diçka shumë më të mirë, supozoj!

Selena Gomez, Steve Martin, e Martin Short.

Pra, është një renditje nga më të njohurit për rininë e sotme deri te më i panjohuri! Dhe për ata që i njohin të tretë duket një bashkim, ngjashëm si renditja, e parregullt!

Steve Martin është një aktor i “pensionuar”, Martin Short është një producent njashtu me karrierën e perënduar, dhe Selena Gomez është… nejse, askush nuk di shumë për të, pos neve si shikues që na tregon për një ëndërr të saj goxha “bizare”!

Introdukta e tyre vjen pas skenës së parë e cila i sheh Çarlsin e Oliverin – karakteret e Steve Martin e Martin Short) duke vrapuar drejt Mejbëllit e cila qëndron e përgjakur mbi trupin e një djaloshi të vrarë!

Të tre këta po hetojnë një vrasje tjetër!

Pos për hobi, rikthim të famës, sigurisht që mendojnë edhe për zbulimin e misterit që mbulon atë vrasje në ndërtesën e tyre!

Dhe këtu fillon pjesa më e mirë e kësaj serie prej 10 episodeve të cilat janë plot mister, kthesa të papritur, karaktere dytësore goxha interesante, dhe mbi të gjitha skenar mbresëlënës me një aktrim të shkëlqyeshëm.

Personalisht nuk prisja të dilte një seri aq e mirë, e cila befasisht por me plot meritë është porositur edhe për sezonin e dytë. Sezoni i dytë fillon nesër, në Disney+ (me të cilin akoma kemi probleme sa i përket pagesës, këto në një shkrim tjetër).

Ka bazë të mjaftueshme për të pasur një sezon të dytë edhe më të mirë, por s’jam shumë optimist. Së paku kemi sezonin e parë, e nota për sezonin e parë është maksimale, 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: