Categories
Filma

Only You (2019) – Recensim

Një nga temat tabu më të popullarizuara në traditën dhe kulturën tonë është që në një çift bashkëshortor gruaja të jetë më e vjetër se burri. Në anën tjetër, dallimi i kundërt nuk prish punë sado e madhe të jetë. Qoftë edhe një dekadë! Paramendojeni të jetë gruaja më e madhe se burri për dhjetë vite! Marre, po?

Nuk është marrja që e bënë Elenën që e bën skeptike të ndjekë një lidhje serioze me Xhejkun, të cilin e takon krejt pahiri gjersa kanë një mosmarrëveshje për të marrë taksinë në natën e vitit të ri. Këtu nis tregimi i tyre, një tregim ashiqare më ndryshe nga tregimet romantike, diçka që nuk është ky në tërësi.

Një marre tjetër në kulturën tonë është shterpësia që mund të kenë një çift. Ideja ‘klasike’ është martesa dhe fryti i asaj martese – fëmija. Nëse një çift ka festuar përvjetorin e parë të martesës dhe nuk kanë fëmijë apo nuk janë shtatzënë, është koha për ‘të nisur brengosja kolektive’ se pse nuk kanë fëmijë, në mos kanë ndonjë problem dhe nëse po atëherë cili është problemi!

Elena dhe Xhejk, nuk e kanë këtë brengë – fëmijën për të kënaqur hallkun siç duhet të ndodhë tek ne, por faktin që ora biologjike e Elenës po ecën drejt perëndimit, dhe është koha për të provuar mënyra të ndryshme për të marrë frytin e dashurisë së tyre.

Pjesa më e madhe e filmit, në mesin e problemeve të shumta, përqendrohet më së shumti tek ky, ku një çift i dashuruar përkundër të gjitha dallimeve, has në njërën nga barrierat më të mëdha që mund të ketë ky çift ‘i kundërt’ me 10 vite dallim në moshë.

Trajtimi i një teme jo aq të këndshme, sidomos me procedurat që duhet t’u nënshtrohet Elena, do të sjellë dashurinë e pazakontë nga një vështrim goxha serioz. Nuk është një film i zakonshëm dashurie, përkundrazi. I realizuar nga një fillestar në regji dhe skenar – Harry Wootlif, filmi ka mundur të jetë për nja 20 minuta më i shkurtër, por vërehet dëshira e tij për të sjellë edhe faktorët e jashtë në sa më shumë detaje e regjisorit.

Ndërkohë të dy aktorët kanë një harmoni të mirë skenike. Laia Costan së fundmi e kam parë tek ‘Life Itself,’ një film pak a shumë i ngjashëm, ku ka shkëlqyer dhe isha i interesuar ta shihja edhe në një rol tjetër, ndonëse duhet të shoh ‘Victoria’ në të ardhmen. Ndërkohë, Josh O’Connor-in në rolin e Xhejk, mund ta kujtoni si Xhejmsi i ‘Peaky Blinders’ dhe me role dytësore tek ‘Florence Foster Jenkins’ e ‘Cinderella’ me Lily James.

Një film ndryshe dashurie, realist, që meriton më shumë vëmendje. Nota personale: 4/5