Categories
Dokumentarë

Orbit: Earth’s Extraordinary Journey – Recensim

Nga korriku deri në dhjetor. Nga dhjetori deri në mars. Nga marsi deri në qershor. Tri episode, për tri faza të lëvizjes së planetit Tokë në orbitën e saj. Këto lëvizje në mënyrë të përkryer, të kompletuar, sqarohen nga Kate Humble dhe Helen Czerski.

E para prezantuese televizive e programeve të njohura, përfshirë edhe ato shkencore, dhe e dyta fizikane dhe oqeanografe e doktoruar, udhëtojnë nëpër lokacione të ndryshme në planetin tonë, nga të cilat shumë më lehtë e më qartë shpjegojnë lëvizjen e planetit tonë, dhe ndryshimet stinore që ndodhin brenda një viti.

Në vetëm tri ore, do të mësoni më shumë se që keni mësuar në gjeografinë e klasës së pestë (ose ndoshta vetëm unë e kam pasur arsimtarin nën-mesatar). Nisur nga Arktiku deri në Antarktidë, nga Gruiniçi deri në Gruiniç, të dyja sjellin në detaje ndryshimet vjetore dhe ndikimin e rëndësinë që ka lëvizja e Tokës rreth diellit në klimën, ndryshimet gjeologjike, dhe botën e gjallë nëpër vende të ndryshme.

Më thjesht, do të shihni në detaje vizuale si funksionojnë rrymat detare, atmosfera, pse kemi pyjet e shkretëtirat në vende të caktuara, pse uraganet përplasen vetëm në brigjet e kontinentit amerikan e jo në lindje kah Evropa e Afrika, e shumë ndodhi të ndryshme natyrore.

Më e mira e krejt kësaj është që të gjitha këto thjeshtohen në botën e një fëmije, me dukuritë shkencore të komplikuara të shpjeguara me gjësende të thjeshta nga bota e përditshme e gjithsecilit prej nesh. Krejt këto me një pjesë vizuale të mahnitshme për sytë.

Mendoj që është njëri ndër dokumentarët më informativ i bërë ndonjëherë. Nota personale: 5/5