Categories
Filma

Ordinary People (1980) – Recensim

Gjatë vitit të kaluar, mijëra familje kanë humbur të dashurit e tyre nga pandemia! Sigurisht që vdekja është një proces i pandalshëm, por vdekja nga vdekja ndryshon, ndonëse dhimbja është rrënuese!

Trajtimi i kësaj dhimbjeje, periudha pas humbjes së një anëtari të familjes kërkon qasje profesionale psikologjike, varësisht prej shkallës së traumës që shkakton. Nuk më pëlqejnë shumë gjëra në shoqërinë tonë, nisur nga ‘të pamet’ apo ‘kryeshnoshet’, që janë një paradë që duhet ta bëjnë personat me dhimbjen më të madhe në jetën e tyre karshi njerëzve në shumë raste të panjohur! Është si një shtypje e emocioneve pasuese, të cilat kurrë nuk përpunohen dhe shtyhen thellë në ndërdijen tonë.

Sa shkatërruese është dhimbja dhe periudha pas vdekjes së një familjari në mënyrë të shkëlqyeshme portretizohet në filmin e shpërblyer për Oskar në vitin 1981, Ordinary People.

Ky film, sjellë në rolet kryesore një familje tri anëtarëshe pas vdekjes së njërit nga bijtë e tyre, dhe tentimin e vetëvrasjes së tjetrit. Është një film që kap aq saktë gjendjen e një familjeje që ka humbur të birin dhe vëllain, dhimbje e cila merr formën e ndryshme derisa ngrit mure ndërmjet tyre e shkakton çarje nën shputat e secilit nga të tre.

Në rolet kryesore vijnë Donald Sutherland e Mary Tyler Moore – dy legjenda të filmit/televizionit, si dhe Timothy Hutton në rolin e të birit të tyre, i cili ishte aktori më i ri në moshë që kishte marrë Oskar për rol dytësor si njëzetvjeçar për shkak të performancës maestrale. Oskar nuk kishin munguar as për Sutherland, e Redford për regjinë; derisa Mary Tyler Moore e Judd Hirsch ishin të nominuar për të.

Judd Hirsch vjen në rolin e terapeutit që provon të ndihmojë familjen të përballojë humbjen tragjike të birit të tyre, dhe njëkohësisht të shpëtojë vet familjen si institucion shoqëror. Si për Moore, edhe për Hirsch performanca në këtë film ishte një territor i ri marrë parasysh popullaritetin e tyre për seritë komike deri në atë kohë. Dhe që të dy bëjnë një punë të shkëlqyeshme në portretizimin e një psikologu dhe një nëne që humb të birin derisa rrezikon të humb edhe tjetrin.

Filmi shihet si ndër të parët që prezantojnë psikologun si një figurë pozitive dhe ndihmëse e familjes duke arritur të kthejë valën kundër stigmës kombëtare ndaj psikologut dhe ndihmës psikologjike e psikiatrike që na nevojitet për një shëndet të mirë mendor.

Një valë e ngjashme nevojitet edhe në shoqërinë tonë, sidomos në periudhën post-pandemike, kur ndihma dhe përkrahja psikologjike është e detyrueshme për gjithsecilin prej neve.

Krahas aktrimit të shkëlqyeshëm, e rëndësisë së temës, edhe përgatitja teknike e filmit, sidomos ngjyrat, e bëjnë ndër filmat më të nënvlerësuar që ka fituar Oskar. Nota personale: 5/5