Categories
Filma

Oskarët 2015 – Aktrimi

Aktorja më e mirë në rol dytësor

Njëra ndër kategoritë më të dobëta këtë vit, padyshim. Çka dreqin lyp Meryl Streep nga një film i tmerrshëm si ‘Into the Woods’! Është bërë bajat nominimi i saj çdo vit, sidomos për kësisoj performanca nën aftësitë e saja. Jessica Chastain ka qenë e mahnitshme tek ‘A Most Violent Year’, një film shumë i mirë, i injoruar në tërësi këtë vit. Fituesja e padyshimtë është Patricia Arquette, e cila ka qenë ylli i ‘Boyhood’. Ka pasur një paraqitje të mahnitshme që më ka pëlqyer së tepërmi. Keira Knightley, Emma Stone, e Laura Dern kanë pasur paraqitje solide, të mirë, por jo për fituese.

Aktorja më e mirë

Jemi mësuar me aktrimin e Julianne Moore. Ajo nuk dëshpëron aspak dhe sjell një karakter mjaft të zorshëm për mrekulli në ekran. Moore është favoriti im dhe i të gjithëve për të fituar padyshim. Por, mbresëlënëse, ka qenë paraqitja e Rosamund Pike. Ajo është fituese e shumë fansave me aktrimin e saj tek ‘Gone Girl’, përfshirë edhe mua. Felicity Jones ka paraqitje të mirë, që e pjek artistikisht në ‘The Theory of Everything’. Reese Witherspoon është e mrekullueshme në një film mesatar, derisa për Marion Cotillard dhe aftësitë e saja jemi mësuar qëmoti.

Aktori më i mirë në rol dytësor

Edward Norton i jep shije ‘Birdman’. Ka një paraqitje të mrekullueshme. Më ka pëlqyer tepër dhe ka një harmoni skenike me të gjithë karakteret që përzihet në film. I mrekullueshëm, por ngjashëm si Robert Duvall, ka qëlluar i pafat. J.K. Simmons është i përkryer në rolin e Terence Fletcher. Dy kandidatët tjerë kanë pasur paraqitje solide, por favoriti im dhe për të fituar është J.K. Simmons.

Aktori më i mirë

Kategoria më e paqartë tek aktrimi këtë vit është për aktorin kryesor. Bradley Cooper po shndërrohet në një Meryl Streep me nominimet e tij të përvitshme. Benedict Cumberbatch po fiton një përvojë të mirë dhe një vend në kinematografi duke na dëshmuar që nuk është vetëm ‘Sherlock, derisa Steve Carrell ka pasur një transformim skenik që na bën të dyshojmë në historinë e tij filmike. Fituesi mbetet ndërmjet Keaton dhe Redmayne. Favoriti im është Michael Keaton, favoriti për të fituar Eddie Redmayne. Derisa Redmayne ka portretizuar për mrekulli Stephen Hawkingun, Keaton ka bërë një punë të ngjashme, por duke krijuar një karakter fiktiv që mund të bazohet në pjesën më të madhe të vet karrierës së tij. Pra, më thjesht, Redmayne ka pasur një karakter për të imituar, Keaton ka imituar karakterin nga mendja e tij dhe e Inarritus, ka krijuar një karakter, një punë që duhet të shpërblehet me Oskar.