Categories
Filma

Oskarët 2015 – Filmi

Mendoj që filmat e nominuar për Oskar janë më të mirët e vitit. Nuk është Top8-shi im, por është një listë që reflekton mendimin e shumicës për tetë më të mirët. Nëse do i radhisja këta tetë atëherë lista do të ishte kjo:

8 – The Imitation Game

Është një film i mirë, trajton një temë të duhur, dhe sjell një hero të harruar padrejtësisht. Është realizim i mirë nga Tyldum që është fillestar në këtë zeje krahasuar me shumicën e të tjerëve.

7 – Selma

Gjithnjë kam pasur një simpati ndaj filmave që trajtojnë tema të racizmit. Na sjellin një fytyrë tjetër të SHBA-ve, një fytyrë që nuk e mbajmë në mend. Ky film sjell një tregim të realizuar mirë duke marrë parasysh përvojën paraprake të Anna DuVarnay. Na dëshmon që tema racizmi mund të trajtohen edhe pa gjithë dhunën e ’12 Years a Slave’. Për mendimin tim, ‘Selma’ është shumë më i mirë se fituesi i Oskarit të vitit të kaluar, por nuk ka mjaft dhunë për të rënë në sy të njerëzve, dhe ky fakt dhemb.

6 – American Sniper

Clint Eastwood, 84 vjeç dhe po sjell nga dy prodhime të mahnitshme gati çdo vit. Puna e tij tregon për një legjendë të kinematografisë që me meritë po shpërblehet me nominime. Tregimi i përpunuar i ‘American Sniper’ është realizuar për mrekulli dhe sjell tamam një autobiografi të një njeriu që lufton për idealet e vendit të tij, për bashkëluftëtarët e tij, duke mos kursyer asgjë, as jetën e tij private.

5 – The Theory of Everything

Adaptim i mirë i jetës së Hawking. Një gërshetim i mrekullueshëm i personales dhe profesionales, kjo e dyta vjen me një formë të thjeshtësuar për tu kuptuar më lehtë nga të gjithë. Harmonia skenike e Felicity Jones dhe Eddie Redmayne është e mahnitshme, e përkrahur nga një punë e ngjashme edhe pas kamerave.

4 – Boyhood

Projekt 12 vjeçar i Richard Linklater. Më ka pëlqyer ideja, më kanë pëlqyer Hawke dhe sidomos Arquette, më ka pëlqyer skenari e regjia. Nuk më ka pëlqyer Coltrane. Është film i shkëlqyeshëm, por i mbivlerësuar nga shumica, nisur nga Metacritic që i jep perfekten prej 100.

3 – Whiplash

Damien Chazelle më kujton Benh Zeitlin me ‘Beast of the Southern Wild’ – një amator që mahnit të gjithë me realizimin e tij të parë. Chazelle ka bërë një punë të mrekullueshme, por ajo çfarë e bën të suksesshëm këtë film është JK Simmons. Është një torturë dhe kënaqësi 90 minutëshe që meriton të jetë në mesin e tre filmave më të mirë të vitit.

2 – The Grand Budapest Hotel

Wes Anderson dhe metoda e tij e veçantë më në fund po çmohen. Janë dy lloje të njerëzve kur vjen puna tek Anderson, ata që mahniten nga puna e tij, të dashuruar verbërisht në të, dhe ata që e vlerësojnë si një punë e çuditshme, edhe palidhje. Vet vendosja në këtë pozitë tregon që unë jam me të parët, i dashuruar verbërisht në çdo gjë që ka bërë Wes Anderson deri tani.

1 – Birdman

119 minuta mrekullie filmike që vjen në një realizim që duket se po ndodh në kohë reale, si një ndeshje futbolli, por pa reklama dhe shkëputje editimi. Filmi është realizuar në atë mënyrë që lëvizja e kamerës e bën të duket sikur është xhiruar në vetëm një tentim. Është një editim aq perfekt sa që nuk mund të vërejmë prerjet. Aktrimi i Michael Keaton është i mrekullueshëm, i ndihmuar nga Edward Norton në masë të madhe, me kontributin e Emma Stone, Naomi Watts e në masë të madhe të nënçmuarin Zach Galifianakis. Filmi më i mirë i vitit për mua, edhe më i mirë se ‘Chef’.

Favoriti im është ‘Birdman’, favoriti për të fituara ‘Boyhood’.