Categories
Filma

Oskarët 2018 – Aktrimi

Këtë vit fituesit mendoj se jemi në të njëjtën frekuencë me Akademinë kur jemi tek aktrimi. Frances McDormand, Gary Oldman, Allison Janney, Sam Rockwell do të zgjohen të hënën me Oskar në vitrinat e tyre.

Rockwell e Harrelson kanë qenë të mahnitshëm tek ‘Three Billboards Outside Ebbing, Missouri’. Richard Jenkins i ka dhënë një shije të bukur ‘The Shape of Water’, e Willem Dafoe si në hije ka mbetur tek ‘The Florida Project’. Plummerin nuk e kam parë tek ‘All the Money in the World’, ama jam goxha i bindur që është nominuar sa për të flakur inat drejt Kevin Spacey i cili ka qenë në rolin origjinal të Plummer. Ushtaraku nga ‘The Sound of Music’ ka xhiruar skenat nga fillimi tek ky film për shkak të përjashtimit të Spacey për skandalin e fundit. Megjithëkëtë, Kevin Spacey është njëri nga aktorët më të mirë të tri dekadave të kaluara.

E vetmja e denjë për të konkurruar Janney për aktoren dytësore më të mirë është Laurie Metcalf. Të dyja kanë rolin e nënës së karaktereve kryesore, ndonëse karaktere goxha të ndryshme. Allison Janney është një ndër emrat më të mirë në aktrim sot, ata që e shohin ‘Mom’ e dinë sa e zellshme është në punën e saj për momentin. Nënvlerësohet dhe lihet në hije, ngjashëm si do të mbesin Spencer Blige, e Manville në këtë kategori. Kjo e fundit nuk besoj se e ka merituar më shumë se Vicky Krieps e cila ka qenë e mahnitshme karshi Daniel Day-Lewis.

Daniel Day-Lewis është i mrekullueshëm si gjithnjë në rolet e tija. S’ka si mos të jetë kur i dedikon tri vite jetë një roli të vetëm. Denzel Washington është e vetmja arsye për të parë ‘Roman J. Israel, Esq.’ Daniel Kaluuya ka karakterin më të trentë në krejt kategorinë, por ngjashëm si Timothee Chalamet karakteri i të cilit pa arritur moshën e pjekurisë flet njëzet e nëntë gjuhë dhe u bie 14 instrumenteve, do të mbeten larg Gary Oldman. Remus Lupin meriton Oskarin këtë vit, ndonëse për Churchill më të mirë mbetet mbrapa John Lithgow tek ‘The Crown’.

Margot Robbie ka qenë e mirë tek ‘I, Tonya,’ por mendoj që ka potencial edhe më shumë në aktrim, e nuk është vetëm një fytyrë e bukur për filma komercial. Për Saoirse Ronan kemi mundur të dëshmojmë aftësitë e saja edhe tek filmat e tjerë, përfshirë ‘Brooklyn’. Sally Hawkins ka qenë edhe më e mrekullueshme tek ‘Maudie’. Por, asnjë karakter e asnjë aktrim s’mund të mposht paraqitjen e Frances McDormand këtë vit.

Si zakonisht viteve të fundit, Akademia po çon dëm një vend të mbetur sa për të na shpërblyer me fjalimet për zotat e saj të cilët më pas dalin të jenë bishat më të lemerishme për gjininë e vet aktores më të mbivlerësuar në film.