Categories
Filma

Oskarët 2018 – Filmi më i mirë

Në mesin e filmave të nominuar, ndonëse ka një gamë të gjerë zhanresh e ndërtimesh, vetëm 2 filma gjejnë vend në Top5 filmat më të mirë të vitit, për shijen time personale. Më i miri i vitit gjithashtu mungon.

Nga këta të nominuarit, filmi më meritor për epitetin e filmit më të mirë të vitit 2017 është padyshim ‘Three Billboards Outside Ebbing, Missouri’. Filmi ka gjithçka – skenarin, regjinë, fotografinë, dhe mbi të gjitha aktrimin. Kemi tre veta të nominuar në kategoritë e aktrimit, po edhe ata që nuk kanë gjetur vend në mesin e 20 aktorëve më të mirë të vitit. Martin McDonagh sjell ndoshta kryeveprën e tij, edhe pse nuk është nominuar për Oskar, ‘In Bruges’ ka qenë një komedi e errët me një trekëndësh fantastik.

I dyti, ‘Dunkirk’, një film që nxjerr më të mirën nga Nolani. Gati më të mirën, pasi dialogët nuk kanë aq intonacion, ndonëse kualiteti nuk mungon. I ndarë në tri tregime, filmi kapërcen nëpër ngjarje goxha mirë, duke dhënë tensionin e luftës pa parë armikun dhe pa derdh një pikë gjaku. Është mënyra më patriotike për të portretizuar arratinë nga Dunkirku.

Filmat e tjerë, gjithsecili ka një karakter ndryshe në vete, por për shijen time personale asnjëri nuk i afrohet dyshes së lartpërmendur. Favoriti kryesor për të fituar Oskarin, ‘The Shape of Water’ është film i mbushur me art të një tregimi sureal; ‘The Post’ prek një temë gazetarie, shumë të dashur për mua, por duket ashiqare që është i përgatitur enkas për Oskar; ‘Get Out’ krejt pahiri gjendet në këtë mes, ama është një vepër ndoshta edhe e nënvlerësuar e Jordan Peele; ‘Darkest Hour’ është film i mbivlerësuar ku vetëm Gary Oldman bën punë të mirë; ‘Call Me by Your Name’ është një film i bukur për sy i prishur nga një tregim pedofilie; dhe ‘Lady Bird’ është filmi ndër më të lezetshmit në këtë mes.

Për mua, titulli i më të mirit të vitit do të duhej të shkonte tek ‘Three Billboards Outside Ebbing, Missouri’. Edhe ‘Dunkirk’ e meriton. Ky i fundit nuk ka shanse të fitoj pasi nuk është në agjendë. I përkryer për agjendën politike do të ishte ‘Get Out’. E shoh si film që do të fitoj Oskarin, para ‘The Shape of Water’. ‘Lady Bird’ është shumë i thjeshtë për Oskar, ‘Phantom Thread’ shumë i thatë, ‘Darkest Hour’ shumë i zbrazët. ‘Call Me by Your Name’ do të ishte i përkryer sikur karakteri i Timothy Chalamet të ishte vetëm një vit më i vjetër, për të mos pësuar një rrufe kritikash për promovim pedofilie.

‘The Wind River’ mbetet filmi më i mirë i vitit, i anashkaluar padrejtësisht për shkak të kohës së hershme të shfaqjes në kinema. Këtë vit, është beteja ndër më të parashikuarat për filmit më të mirë të vitit. ‘Get Out’ fitues për Akademinë, ‘Three Billboards Outside Ebbing, Missour’ fitues për mua.

Megjithatë, asnjë nga filmat nuk arrin perfeksionin që vitin e kaluar ka pasur La La Land!