Categories
Filma

Oskarët 2018 – Fotografi me zë

Zakonisht sipas adetit për shkak të kohës së kufizuar, mbes pa parë filmat e nominuar për filmin më të mirë të huaj. Vitin e kaluar filmi suedez më ka kënaqur së tepërmi, ndonëse nuk mund të themi se fitorja e filmit iranian nuk ishte edhe e pastër nga politika.

Politika kishte komanduar në përzgjedhjen e fituesve edhe në kategoritë tjera – shumica për inat të Trumpit dhe votuesve të tij. Ngjashëm do të duhej të ishte edhe këtë vit në ceremoninë e Oskarëve. Shumica e fituesve do të kenë ngjyrim politik, e mbi të gjitha do të dominojnë fjalimet anti-Trump, pseudo-liberale, dhe shakatë thumbuese ndaj Trumpit dhe qeverisjes së tij.

A do të ndikoj kjo tek kategoria e filmit më të mirë të huaj nuk e di. Nuk besoj pasi ‘The Square’ duket të jetë një komedi suedeze të cilën shpresoj ta shoh dikur më vonë. Rusia, Hungaria, janë ndër vendet që zakonisht nominohen në këtë kategori, dhe nuk besoj se kanë zhgënjyer këtë vit.

Tek filmat e animuar, ‘Coco’ është filmi më i përkryer dhe e shoh si fitues i pakontestueshëm. Ka një histori të këndshme, një qasje të re të filmave të animuar në një kulturë të re, dhe e gjithë kjo lustrohet me muzikë. ‘The Breadwinner’ është pasqyrë shumë e nevojshme për botën e vendeve të Lindjes së Mesme. Një vajzë shkurton flokët për të siguruar të ardhurat e familjes së saj pasi i ati që është mësues burgoset nga talebanët për shkak se ka mësuar të bijën e tij të lexoj. Një histori e dhimbshme, ama shumë mirë e ndërthurur. ‘Loving Vincent’ është një histori e shkëlqyeshme për Van Gogin, me një teknikë të përkryer për këtë temë. ‘The Boss Baby’ e ‘Ferdinand’ janë të nominuar pa nevojë.

Dokumentarët më kanë pëlqyer së tepërmi këtë vit. ‘Last Men of Aleppo’ është një tregim prekës për luftën në Siri dhe dedikimin e qytetarëve të thjeshtë për të ndihmuar bashkëqytetarët tjerë. ‘Icarus’ duhet të fitoj pasi hedh në pah më së miri dopingun e sponsorizuar shtetëror të Rusisë në Lojërat Olimpike të Sochit. ‘Abacus: Too Small to Jail’ jep një temë goxha të nevojshme për krizën financiare të vitit 2008 kur bankat e mëdha, njëherë shkaktarët kryesor u subvencionuan nga qeveria derisa kompani minimale si Abacus u akuzuan për mashtrim. ‘Strong Island’ tregon një histori personale për racizmin dhe vrasjet e padënuara. Personalisht, favoriti im me pak dallim del ‘Abacus: Too Small to Jail’.

Fotografi më e bukur e filmit këtë vit ka qenë padyshim tek ‘Blade Runner 2049’. Muzika më e mirë Hans Zimmer tek ‘Dunkirk’. Ky film ka edhe kinematografinë e mirë, por s’besoj që Hoyte van Hoytema do të mund të mposhte Roger Deakins dhe magjinë e tij. Muzika ka qenë e bukur edhe tek Phantom Thread. Kushdo tjetër për fitues do të ishte padrejtësi ndaj këtyre që përmenda më lart.

Tek këto katër kategori (përjashto filmin më të mirë të huaj) favoritët e mi janë – Coco i animuar, Abacus dokumentar, Blade Runner 2049 për fotografi, Dunkirk për muzikë.

Fituesit do të duhej të ishin Coco, Icarus, Blade Runner 2049, The Shape of Water.