Categories
Dokumentarë

Our Planet – Recensim serie

Dy mijë kilometra pyll, dhe vetëm një qenie për ta sunduar – tigri siberian. Asnjë njeri, vetëm arra pishash, borë, dhe 750 miliardë lisa që absorbojnë 40% të karbonit që prodhojmë ne!

Udhëtimi nëpër vendet ekzotike më duket diçka e panevojshme. E mbivlerësuar!

Pamjet që i sjellin dokumentarët natyrorë nuk do të mund t’i shihnim edhe sikur të udhëtonim tërë jetën në çdo cep të botës. Nuk do të mund të shijoni mrekullitë e pyllit arktik që vijnë në episodin e fundit të Our Planet, e as 90% të lokacioneve që sjellin një ekip kameramanësh dhe producentësh mjeshtëror.

Kur jemi tek kameramanët, 37 mijë orë në total për 130 ditë (dyfish më shumë se #covid19 izolimi :P) është pritur tigri siberian, për tu kapur në vetëm 35 pamje.

Mësuesi ynë, Sir David Attenborough, del jashtë habitatit të tij të zakonshëm – nga BBC në Netflix – me ‘Our Planet’, por ruan madhështinë e tij gjersa viziton vende të cilat edhe nuk i kemi vizituar më parë në dokumentarët e tij.

Në tetë episode, nën narracionin e tij, vijnë xhunglat, ngricat, shkretëtirat e livadhet, detet e thella e bregdetet, pyjet. Në të gjitha këto ambiente, dhe të tjera, Sir David analizon zhvillimet e fundit dhe ndikimin e njeriut e rrjedhimisht ndryshimeve klimatike në jetën e botës bimore dhe shtazore!

Përkundër këtyre ndryshimeve negative, ‘Our Planet’ sjellë shumë ngjarje frymëzuese të cilat na japin shpresë neve si shikues që hapat që kemi ndërmarrë, sidomos në luftimin e plastikës, ndonëse ende të vogël, kanë pasur ndryshime sado qoftë pozitive.

Thjesht, na jep inspirim për të vazhduar ‘revolucionin e gjelbër’, derisa na mahnit me mrekullitë e botës së egër, disa specie të së cilës për herë të parë shohin dritën e shihen në ekran nga ne.

Kur sheh këto tetë episode, pa marrë parasysh sa dokumentarë ke shikuar të Sir David ndër të tjera, e sheh që bota jonjerëzore është pakufi, dhe as afër eksplorimit të plotë. Si për ironi, më shumë dimë për planetët e sistemit diellor se sa për oqeanet tona.

‘Our Planet’, kryesisht për shkak të lehtësisë së ekspozimit pasi është në Netflix, del të jetë njëri ndër dokumentarët më të preferuar e vlerësuar. Padyshim edhe ashtu mbetet ndër kryeveprat e Sir David Attenborough. Nota personale: 5/5