Categories
lomsh

Padronët e Federatave – E hënë mëngjes!

Rita Zeqiri, Astrit Kryeziu, dhe e mirënjohura Majlinda Kelmendi janë vetëm disa nga yjet e të ardhmes së sportit kosovar. Ata nuk do të turpëronin Kosovën po të merrnin pjesë në garat ndërkombëtare kudo dhe çfarëdo qofshin ato, nga garat regjionale deri tek olimpiadat. Çfarë bëjnë këta tre dhe shumë bashkëmoshatarë dhe kolegë të tyre. Stërvisin çdo ditë, japin maksimumin, heqin dorë nga disa aktivitete tjera për t’u përkushtuar punës dhe çdo herë arrijnë rezultate më të mira se në të kaluarën. Kjo është e tëra që bëjnë dhe mund të bëjnë. Nuk është punë e tyre të shkojnë në takime me federatat e tyre, në kongrese të ndryshme, apo të kërkojnë takime dhe marrëveshje me zyrtarë të huaj ndërkombëtarë. Nuk është detyrë e këtyre të rinjve të vrapojnë nëpër dyert e federatave fqinje, mike, dhe konfederatave ndërkombëtare. Këta po bëjnë maksimumin, por janë pre e papunësisë së hipokritëve dembel që kanë zaptuar kolltuqet e buta që tashmë për dy dekada kanë marrë edhe formën e prapanicës së këtyre zaptuesve dhe ëndërr-shkatërruesve të jo një, por, gati tri gjeneratave sportistësh kosovar.

S’është vetëm mëkat, por është krim të prishësh ëndërrat e talentëve të sportit kosovar.

Tashmë 11 vite jemi të lirë, gati tre vite të pavarur, dhe akoma s’kemi asnjë federatë të madhe të njohur ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Kemi vetëm ping pongun dhe peshëngritjen që janë pranuar me të drejta të plota, por edhe në këto federata nuk ka patur ndonjë sukses. Do t’u kthehem në fund këtyre federatave.

Kështu që para luftës (i referohem ngjarjeve të viteve ‘98-99) kreu i FFK-së ka qenë Sabri Hashani. Storia e tij, si edhe e shumë të tjerëve i ngjan ndonjë skenari të Shekspirit. Hashani gjithnjë kritikohej, pastaj u largua, u rikthye për t’u larguar më në fund. Për gjithë këtë kohë sa mundonin të ndryshonin kreun e FFK-së, nuk është bërë asnjë hap drejt ndërkombëtarizimit. Personalisht, kam qenë kundër Hashanit dhe mirë që është ndërruar. Edhe me largimin e tij dhe më vonë ardhjen e Vokrrit në krye të FFK-së u shfaqën pakënaqësi nga kundërkandidatët tjerë, për manipulime e gjëra tjera. Vokrri nuk ka patur ndoshta shumë punë, por ka reputacion dhe më lehtë mund të depërtojë në mekanizmat ndërkombëtar, në takime, kongrese e të ngjashme. Kjo është parë në takmin me Blaterin si dhe marrëveshjen për njohjen e çertifikatave të lojtarëve kosovar. Këtu punët kanë filluar të lëvizin, jo ndoshta me ritëm të shpejtë, por diçka po punohet. Tashti duhet të provojmë që së paku kampioni të marrë pjesë në kualifikimet e Europa Ligë nëse asgjë, edhe nëse jo nën flamurin e Kosovës, do të ishte e pranueshme edhe nën flamurin e UEFA-s, apo pa flamur fare, vetëm të shpërthehej barriera.

Basketbolli në Kosovë për tri-katër vite ka qenë shumë më i popullarizuar se në shumë vende ballkanike, më shumë se në Shqipëri, Maqedoni, e Bullgari. Megjithatë në majën e suksesit në FBK filluan përçarjet. Së pari ekipet që menduan që ishin shumë të forta krijuan Ligën Profesioniste që kishte shumë amatorë, dhe më pas gradualisht filloi të binte cilësia. Nuk mundëm të shpërthenim atëherë barrierën ndërsa tani është më ndryshe. Popullaritet nuk ka aq sa ka qenë atëherë, por, thonë se rrethanat në FIBA kanë ndryshuar për të mirën e Kosovës. Tani nuk duhet të flejmë duhet të lëvizim, të punojmë. Që nga paslufta deri tani kemi patur tre kryetar federate, që është një shembull i mirë, por megjithatë planet duhet të vazhdojnë të zbatohen.

Hendbolli është ndër sportet e para që ka thyer barrierën. Ka disa vite që ekipet tona marrin pjesë në garat evropiane, jemi të pranuar me të drejta të kufizuara në EHF, dhe dalëngadalë do të ndodh edhe kjo. Mexhid Devaja është kryetar më shumë se 10 vite, por një njeriu punëtor si ai, unë do ta lëja edhe 20 vite tjera në krye, sepse njeriu punon, është i zoti.

Federata e volejbollit është mëkat si po drejtohet ashtu si shumica e federatave tjera për të cilat nuk ja vlen të shkruaj këtu. Megjithatë ka njerëz punëtor në disa prej tyre, por ja që nuk arrijnë të marrin punët në dorë dhe të udhëheqin si duhet.

Tani dua të kthehem tek dy federatat e pranuara ndërkombëtarisht. Federatat e ping pongu është federata e parë e pranuar ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Por, vetëm kjo ka ndodhur. S’vonoi shumë dhe që nga atëherë plasaritjet që kanë ndodhur në këtë federatët kanë qenë të turpshme. Së pari federata ka zgjedhur një djalosh që nuk mendoi që ka patur 20 vjet kur ishte kryetar i Federatës, pa pikë përvoje. Pastaj kjo federatë është ndarë në dysh, ministra ka njohur vetëm njërën federatë, aty ku ishin një pjesë e të “akrabavë dhe jaranëve” të ministrisë, edhe pse ishin ata që ndanë federatën, ndërsa aty ku ishin ping pongistët dhe punëtorët u injoruan nga ministria e atëhershme. Federata “ilegale” sipas ministrisë u shua dhe nuk funksionon më. Ndërsa FPPK-ja e tashme, ka disa vite që merr pjesë në gara ndërkombëtare, dhe nuk mendoj që ka fituar ndonjë set të vetëm. Kjo ndodh kur për trajner ke njerëz si Nehat Çitaku që ka familjarizuar me kombëtare e me federatë së bashku. Njeriu edhe pse në moshë të shtyer injoronte kampionët në fuqi të asaj kohe Jeton Azizin dhe të tjerët dhe zgjedhte të merrte i vetëm pjesë në kampionate botërore e evropiane duke shënuar rezultat turpëruese për ping pongun tonë. Tani ne krenohemi për çdo kampionat nëse fitojmë disa poena më shumë se në të kaluarin. Sete e ndeshje të fituara do të vendosnim në një “holl të famës”.

Federata e peshëngritjes është federatë e re dhe për t’u parë suksesi i tyre, ashtu sikur i mundjes duhet të presim kohë. S’dua të paragjykoj askë para se të ketë rastin për t’u dëshmuar. Nëse nuk gaboj më duket që edhe Federata e Mundjes është e pranuar. Pra qenkan tri

Besim Hasani është kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës që nga vitet e ’94-95, sa mbaj mend unë, atëherë kur lexojsha Refleksin Sportiv, nga aty më kujtohet emri i tij. Kjo i bie rrafsh 15 vite e më shumë. Çka ka arritur ky institucion për tërë këto vite? Asgjë! Nuk ka qenë aspak meritë e kreut të KOK-ut për pranimin e atyre tri federatave. Për më tepër, meritë e tij ka qenë shkatërrimi i një federate, atë të ping pongut kur vendosi në krye të birin e tij të papërvojë, në federatën e vetme të pranuar ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Në intervistëne fundit për Kohën Ditore, ai thotë që nuk kemi aplikuar për pranim në IOC (Komiteti Olimpik Ndërkomëbtar) sepse kushtet teknike akoma nuk janë plotësuar, që është numri prej pesë federatave të pranuara. Pra, duhet të pranohen federatat dhe pastaj vjen puna e tij. Për 15 vite edhe unë do të qëndroja në shtëpi duke bërë punë në bahçe dhe pastaj kur të pranohen do të filloja të merresha me këtë punë. Si njeriu i parë i sportit në Kosovë ai duhet të ndërmarrë iniciativa, nisma, të krijoj strategji për të gjetur ndonjë rrugicë që do të çonte tek ndonjë federatë për t’u pranuar. Serbia nuk po punon kundër nesh sa duhet. Jemi ne ata që nuk po brengosemi për punët tona. Jemi ne ata që duhet të punojmë më shumë, e jo të presim të na lusin për pranim ndërkombëtarët. Nuk di çfarë përmend në raportin vjetor të punës kryetari i KOK-ut në fund të vitit! S’di sa punë ka bërë!?!

Sa për institucionet politike ato s’çajnë trapin për sport. Thaqi uron Ditën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, kaq mjafton. Nuk ka investime nuk ka asgjë. Secili ministër që vjen ka “strategjinë” e tij e cila vonon tërë mandatin të hartohet, dhe pastaj kështu vazhdon.

Kohëve të fundit po qarkullojnë zërat për bashkimin sportiv në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Çfarë po mendojnë?? Po mendojnë që kombëtarja shqiptare tashmë është e pastër vetëm me “shqiptar”?? Aty janë gjysma, dhe të gjithë ata që japin më së shumti për kombëtaren nga Kosova. Shqipëria nuk ka kombëtare, është kombëtarja shqiptaro-kosovare. E për trajtimin e kosovarëve në kombëtaren e futbollit kam shkruajtur më herët. Për atë uroj vëllëzërit Kuqi, Behramin, e super-talentin më të ri të futbollit kosovar, Fatos Beqirajn që kanë bërë zgjedhje të duhura!

Për më tepër po shihen edhe sukseset e sportit shqiptar karshi atij kosovar! Edhe pse janë të pavarur tashmë 98 vite, s’kanë shënuar ndonjë sukses. S’kanë asnjë medale olimpike, e lëre më të marrin pjesë në ndonjë kampionat botëror ekipor në sportet e njohura. Ishujt Virxhin, Sudani, Antilet Holandeze, Maqedonia, Haiti, Gujana, Xhibuti, Burundi, e Afganistani kanë medale më shumë se Shqipëria.

Luan Morina

Kolumna “E hënë, mëngjes” për Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

One reply on “Padronët e Federatave – E hënë mëngjes!”

Shkrim i mire. Tema shume e qellume. Keto jane gjera serioze po fatkeqesisht pak kush po mirret me to. Kisha shtu dicka edhe pse shkrimi osht per 10.
Edhe perkunder punes perfekte te Federates Hendbollit, fatkeqesisht rezultatet e klubeve te hendbollit tregojn qe nuk mjafton veq angazhimi i Federates po edhe klubet duhet me kane me serioze. Per kete, ky fenomen ka me na ndodh edhe ne futboll nese pas 4-5 viteve pranohemi ne UEFA,njejte vlen edhe per shumicen e sporteve tjera.
Nuk mundesh me lyp anetaresim ne organizata nderkombetare kur jemi te nivelit ZHL.
Per basketbollin, mendoj se aty lobi serb eshte aq i fort saq edhe nese OKB na pranon si shtet, nuk kemi me mujt me depertu per ni kohe shume te gjate.
Per punen e Federates Futbollit nuk osht ba kurgja hiq asnihere. Kjo qe osht ba certifikimi ka ndodh jo si rezultat i punes Federates tone, po i ankesave federatave tjera qe kane marr lojtar prej Kosove e mandej jane padit prej klubeve tona private se kane shkel kontrata pune. Ne futboll puna e te gjitheve ka qene zero. Pasi qe skemi perfitu prej Platinit sdi prej kuj dojme me perfitu.
Urimi per shkrimin Luan,

Comments are closed.