Napoli mund ti vë vulë viteve të dominimit anglez në futbollin evropian. Edhe pse akoma janë në lojë dy Manchester-at dhe teorikisht Napoli dhe Arsenali, humbjet e këtyre dyjave në Itali, dhe eksperimentet e dy të parave, sidomos të United në Europa League mund të vënë perde mbi njërin ndër sezonet më të këqija në histori të vendlindjes së futbollit. Shumë ekspertë dhe me plot arsye e konsiderojnë këtë periudhë si njërën nga më të errëtat në historinë ekipore angleze që nga tragjedia e Hejselit që rezultoi me mungesë disavjeçare të ekipeve angleze në Evropë që nuk ishte asgjë në krahasim me jetët e humbura në atë tragjedi. Gjithë kjo mbetet vetëm teori për momentin, ngjashëm si gjasat e Chelseat dhe Arsenalit për të mënjanuar italianët, por nëse vërtetë asnjëra nuk kalon në rrethin e ardhshëm, atëherë anglezët nuk i kanë punët mirë në Evropë.
E arsyen për këtë mund ta kërkojmë në shumë sfera, sa të qarta aq të komplikuara. Premier Liga për mendimin tim akoma është liga kombëtare me e mirë në botë, të cilës mund ti afrohet vetëm Bundesliga gjermane. Manchesterat, që po i marr si shembull për shkak se gjenden në krye të renditjes, nuk i kanë punët aq lehtë në ligë siç i kanë Reali e Barcelona, apo siç po ndodh këtë vit në Itali me Milanin e Juventusin. Ato mund të pësojnë nga çdo skuadër në Premier Ligë, në çdo kohë, jo që s’kanë kapacitet por kanë një orar tepër të ngjeshur. Kjo mund të mos i shkoj për shtati skuadrave, por kush bëhet merak për to kur shikuesit, ata që mbushin arkat e skuadrave e dëshirojnë këtë. Derisa italianët zhvendosin ndeshjet në mesditë për shkak të ditës së Shën Valentinit (budallallëk për mendimin tim!), anglezët zhvendosin ndeshjet në ditën e Krishtlindjeve për të shfrytëzuar në maksimum festat e tyre më të mëdha, duke mos harruar as Boxing Day dhe ditën e Vitit të Ri. Pastaj kemi edhe shpërndarjen e të hyrave nga të drejtat televizive ku ka një balancë më të madh në Ishull se sa në Spanjë kur dy skuadrat e para marrin kontrata miliardshe disa vjeçare, derisa të tjerat luftojnë për “rrathët e pites”.
Qyshdoqoftë, edhe nëse eliminohet edhe Chelsea për të cilin kam shpresa se do t’ia dal pasi nevojiten vetëm 2 gola, edhe nëse United dështon nga Bilbao, unë s’dyshoj në rimëkëmbjen e futbollit anglez menjëherë në sezonin e ardhshëm. E me një trajner potencial si Harry Redknapp, as Euro2012 nuk është garë e humbur në letër.
Përkundër këtyre dështimeve ata janë sigurt në dy pozitat e para të renditjes pesëvjeçare të UEFA-s për klubet. Nuk do të preket numri i skuadrave pjesëmarrëse në Evropë nëse nuk përjetojnë edhe nja 2-3 sezone të ngjashme. E gjithashtu epërsia e Gjermanisë është shumë e lartë në krahasim me Italinë. Prandaj, së paku edhe dy vite Gjermania do të ketë 4 skuadra në Champions League, e italianët duhet të pajtohen me tri, dhe të falënderojnë Udinesen që bën të pamundurën në Selanik për të mbajtur në hap Serie A që po fundoset në krahasim me tri ligat e para.
Drejt fundjavës
Në Angli kemi finalen e Kupës së Ligës, ku Liverpool ndeshet me Cardiff City. Fituesi siguron pjesëmarrje në Europa League dhe një trofe shtesë në vitrinat e tyre. Në Premier League kemi derbin Arsenal – Tottenham.
Në Itali, ndeshja Milan – Juventus është në qendër të vëmendjes. Inter ka shumë mundësi të vazhdoj serinë e errët në udhëtim ndaj Napolit.
Në Spanjë spikat ndeshja Atletico – Barcelona, dhe interesante pritet të jetë edhe përballja ndërmjet Valencisë dhe Sevillas.
E si zakonisht Bundesliga pritet të jetë më interesantja duke nisur nga ndeshja e parë e javës me Monchengladbach – Hamburger. Të dielën Bayern pret Schalken, ndërsa Dortmund – Hannoverin.
Derbi ndeshje do të ketë edhe në Francë. Lyon pret PSG-në, derisa kampionët aktual, Lille shkojnë në Rennes.
Derbi klasik do të kemi edhe në Holandë, ku PSV pret Feyenoordin. Derisa padyshim njëri ndër derbit më interesant do të jetë ai ndërmjet Galatasaray-it dhe Besiktas-it.
Top 13shja
13. Juventus
Arritën të fitonin vetëm pasi një skuadër inferiore si Catania me një portjer që ka nevojë të mësoj themelet në rregullimin e “murit të gjallë” dhe bazat e degazhimit të topit, mbeti me një lojtarë më pak në fushë. Shumë hallakamë u bë në mediat italiane për “ringjalljen” e Pirlos. Gjithçka do të dëshmohet kundër Milanit, kërcejnë për pesë pozita para ose largohen nga Top 13.
12. Valencia
Të jesh e treta dhe të pësosh katër gola nga i dyti pasi kalon në avantazh 1-0, në një farë mënyrë
është turp. Valencia zbret në renditje ngjashëm siç humb të gjitha gjasat për të rrezikuar pozitën e dytë në ligë. Fitorja ndaj Stoke i mban akoma në Top 13.
11. PSG
Lëshuan rastin më të mirë për tu shkëputur në krye, e për më tepër mëzi që e mbajtën këtë pozitë pas një paraqitje të dobët nga Montpellier.
10. Basel
Performanca e shkëlqyeshme ndaj Bayern e vendos Baselin lartë në listë, me ndihmën e paraqitjeve katastrofale të disa skuadrave që renditen edhe më poshtë në kampionatet e tyre kombëtare.
9. Atletico Madrid
Mënjanuan Lazion nga Europa League, por dështuan përsëri në Primera Division. Fat i mirë që akoma kanë Falcaon.
8. Tottenham
Dështuan të fitojnë si mysafirë ndaj një skuadre inferiore në Kupë. Me këtë veçse i shtojnë punë vetes dhe shpërqendrim shtesë nga Premier League
7. Monchengladbach
Vazhdojnë të shkëlqejnë. Skuadra e dytë gjermane në këtë listë, para Bayern-it që e kanë mposhtur dy herë këtë vit, jashtë e brenda.
6. Dortmund
Fitore minimale në Berlin që i mban akoma në krye të Bundesligës dhe si skuadra më e mirë gjermane në këtë renditje.
5. Manchester United
Dështuan ndaj Ajax pasi eksperimentimet nuk funksionuan. Rikthehet Premier League dhe mundësia për të vazhduar luftën kokë me kokë me Cityn.
4. Barcelona
Ishte koha e fundit që Messi të rishfaqet në aksion. Shkatërruan në përgjithësi Valencian, duke dëshmuar se sa bajat është futbolli spanjoll.
3. Manchester City
Fitore bindëse ndaj kampionëve aktual të Europa League të cilët shkatërruan skuadrën para fillimit të sezonit për miliona euro. Presin Blackburnin që nuk duhet të ju shfaq shumë probleme.
2. Real Madrid
Vazhdojnë të mbushin portat kundërshtare, por s’mund të luftojnë edhe kundër temperaturave polare. Barazim 1-1 në Moskë, por në krahasim me skuadrat tjera që shumica dështuan në njërën apo ndeshjen tjetër, apo kishin pushim gjatë mesjavës, vazhdojnë të mbesin në mesin e dy skuadrave më të mira në listë.
1. AC Milan
Milani vazhdon të jetë skuadra më e mirë në këtë listë. Pas fitores ndaj Arsenalit, ata shfaqën një skuadër të përzier, rezervistësh ndaj Cesenas duke dominuar përgjatë 90 minutave. Nuk do të jenë në këtë pozitë javën e ardhshme nëse nuk fitojnë ndaj Juventusit.
Top13shja përgatitet ekskluzivisht për Shqipmedia
nga Luan Morina
Kolumnist i rregullt sportiv në Shqipmedia