Categories
Journal

Palaçot që i pamë (1) – #10VjetGAD

Duhet të jenë ata që shohin të kaltër fustanin ‘legjendar,’ të njëjtit që mendojnë se palaçot janë komik. Për neve që shohim të bardhë me të artë të njëjtin fustan, palaçot janë të llahtarshëm. Por, ngjashëm si me filmat e Çarli Çaplinit që më kanë futur ethet si fëmijë, edhe me palaçon e Leonkavallos mësohesh e adaptohesh sa më i vjetër që bëhesh.

Sa më shumë që njeh njerëzit.

E njerëzit, që të gjithë jemi palaço në periudha të ndryshme të jetës, në skena të ndryshme. Gjithnjë para se të dalim, vendosim maskën dhe bëhemi palaço për të kënaqur nevojat e të tjerëve. Pos rrobave të bukura e fytyrës së pastër, ia veshim vetes edhe një buzëqeshje, që t’ua bëjmë njëri-tjetrit ditën më të mirë, ani pse nuk i flasim e nuk i ndihmojmë askujt deri të arrijmë tek ‘strofulli’ ynë ku i shfaqim njëri-tjetrit dashuri për t’i plotësuar egon me fjalë, pas llajkave që i kemi dhënë më herët. Sipërfaqësore ‘duken’ të jenë jetët tona!

Në krejt punët që kam bërë, si palaço kam qenë më i dobëti!

Dhe kam luajtur rolin e palaços për shumë vite, por mbi të gjitha nja pesë të mira, duke iu dorëzuar shoqërisë e rrethit, se GAD me shoqëri nuk mund të strehohen tek një djalë i ri e plot jetë si unë. Sa më shumë që ndrydh e shtrëngon diçka, aq më fort do të pëlcet. E pëlcitja vjen në mënyra të ndryshme.

Tek opera e Leonkavallos, Palaçoja duhet të vendos maskën që të kënaq publikun, pas tragjedisë që i ka ndodhur kur shfaqja i është kthyer në realitet. Me maskë pret duartrokitjet dhe të qeshurat e publikut të cilët janë ata që i kërkojnë maskën. Shfaqja është më e ëmbël e më qesharake se realiteti i tij, për të cilin nuk kanë interesim.

Shumë tregime për gjëra të hareshme mund t’i pëlqejnë shumicës së njerëzve, të cilët kanë pasur një të qeshur a dy, dhe kanë vazhduar me jetë, mund të kem postuar. Por, janë tregime si këto, të cilat për të mirë u kanë ndryshuar e ndoshta edhe shpëtuar jetën një numri të vogël. Nuk janë tregime që marrin llajka, që sjellin të qeshura, por as të tilla që marrin keqardhjen e dikujt. Asnjëri nga këto nuk është qëllimi i këtyre ‘tregimeve’. Qëllimi është që të flitet më shumë për këto dukuri mendore.

Që ata që janë në mesin e palaçove, por janë lodhur nga maskat e përditshme dhe ferri që sjellin dukuri të ‘pakëndshme’ mendore si stresi, anksioziteti, depresioni, me njëqind miniatura që vijnë, të gjejnë veten në një rreth pa maska. Jo të gjithë preken në masë të madhe nga këto dukuri, ani pse të gjithë kemi momente jo të mira. I kam shpjeguar në një seri të shkrimeve të vitit 2017 pak a shumë, por tek secili shfaqen në mënyrë të veçantë. Janë shkrime që bëj rregullisht çdo verë, çdo fund të korrikut që për mua është periudha më e keqe e vitit, ani pse s’duhej të ishte ashtu! Janë shkrime që i bëj vetëm pasi kam diplomuar pa sukses në rolin e palaços të cilin e braktisa nja pesë vite më parë, pra vetëm kur General Anxiety-Disorder (GAD) e bëri të veten!