Categories
lomsh Uncategorized

Pan(ik)demia

Edhe një javë ‘festojmë’ 21 vjetorin e intervenimit të NATO-s!

Një fëmijë në pubertet i asaj periudhe, sot ka kaluar të tridhjetat. Ende, kohë pas kohe, ka ankthe nate ku gjendet në panik lufte!

Dhe nuk është i vetëm!

Fëmijëve të asaj kohe ‘iu arsyetohet’. Nuk iu arsyetohet prindërve të cilët është dashur të shfaqin një fytyrë burrërie që të garantonin atë pak siguri tek familja e tyre. Frika e tyre veçse ka qenë më e madhe, tashti po e kuptojmë edhe vet ne që jemi rritur!

A kanë marrë ndonjë ndihmë psikologjike për çrregullim të stresit post-traumatik?

Ndokush?

Ndihma të ndryshme në ushqime, veshmbathje, edhe ndërtimtari kemi marrë. Sigurisht, jo më shumë se ‘profiterat e luftës’. Në fakt, këta janë një arsye shtesë që për një çerek shekulli gati kemi vuajtur edhe strese të ndryshme në liri. Kryesisht me lajme të rreme, duke ngjallë vazhdimisht frikën vetëm që të mbesin në pushtet!

Nuk ka nevojë për panik, por as panikun nuk po e bëjmë siç duhet!

Sigurisht që nuk jemi të vetmit që po bëjmë panik, por krahasuar me shifrat që kanë vendet tjera, ne jemi shumë, shumë më mirë!

#COVID19 ka fshirë pluhurin nga lufta e fundit.

Të plasariturat, të çarat që i kemi në shëndetin mendor, janë ende aty, jo të shëruara, por të mbuluara, të pluhurosura. Dhe krejt ato shfaqen në mënyra të ndryshme gjatë kohës.

Tashti, ra ky virus e po e duken më qartë.

Ende, nuk po dimë si të përgatitemi për një pandemi, se sistemi shkollor e kemi shkatërruar, sistemin shëndetësor edhe më shumë. Mbi të gjitha, e kemi të shkatërruar sistemin e informimit, të zotëruar nga milionerë të cilët kanë ndërtuar pasurinë e tyre mbi keqinformimin e manipulimin e opinionit!

Jemi për gjynah!

Dhe nuk është për të qeshur a bërë shaka. Përkundrazi, nëse e dini historinë e Pagliaccit, e dini se tallja me një situatë të këtillë është mekanizëm mbrojtës.

Personalisht, talljet me #COVID19 i kam me qëllim të shtendosjes së panikut bizar!

Po njëkohësisht, kur i sheh disa injorantë që nuk përfillin masat e institucioneve, atëherë e sheh që nuk ka mjaft panik.

Sinqerisht, është një situatë e ‘koklavitur’ :p