Më pëlqen puna që bën Nate Wolff. Për një kohë të shkurtër ka arritur të bëj një bagazh të pasur filmash për tinejxherë. Megjithatë, performanca e tij më e mirë sipas meje ka qenë në filmin ‘Behaving Badly’. Në krahasim me rolin në atë film, Wolff vjen në një rol më të mbyllur në ‘Paper Towns’.
E filmi si temë premton një djalë i cili pas një nate aventureske me simpatinë e tij të përjetshme, e cila zhduket të nesërmen niset në udhëtimin e jetës së tij.
Por, pa marrë parasysh temën që premton, filmi nuk sjell atë udhëtimin i cili do ta rrit, maturoj karakterin e Wolff – Quentinin. Më shumë përballet me maturimin gjatë atij udhëtimi të shkurtër në hollin e qendrës tregtare se sa gjatë udhëtimit për të gjetur Margon që portretizohet nga Cara Delevigne.
Nuk më pëlqen puna që bën Cara Delevigne. Nuk ka shumë përvojë në kinematografi – Ana Karenina veç, por me këta dy filma nuk më mbush syrin si një aktore tashmë e zhvilluar profesionalisht që meriton një vëmendje të posaçme. Karakteri i saj është i çuditshëm, por nuk e ndjeja sikur arrin ta mishëroj atë karakter.
Quentin dhe Margo kalojnë një natë duke kryer hakmarrjen ndaj ‘miqve’ të Margos. Është një natë ku Quentin del prej zonës së rehatisë për tu përballur me diçka krejt të re për botën e tij. Të nesërmen Margo zhduket. Për Quentin kjo është një detyrë për të gjetur Margon. Sikur në një kërkim thesari, Quentin mbledh shokët e tij të ngushtë, Ben dhe Radar dhe simpatitë e tyre për të nisur në gjetjen e Margos.
Për Jack Schreier ky është filmi i dytë i gjatë. Nuk është diçka e veçantë, por pasqyron profesionalizmin dhe përvojën e tij në këtë etapë të karrierës së tij. Për dallim nga Schreier, Scott Neustadter ka bërë skenarin e disa filmave të ngjashëm – ‘The Spectacular Now’, ‘The Fault in Our Stars’, dhe më i miri për të – ‘500 Days of Summer’.
Nga filmi ‘The Fault in Our Stars’ pos skenaristit është edhe shkrimtari i atij romani, i cili ka shkruar edhe këtë roman. Mjafton ky film që të pozicionoj John Green në mesin e shkrimtarëve e ardhmja e të cilëve nuk më intereson. Pak edhe për faktin që nuk jam audiencë e tyre, ndoshta.
‘Paper Towns’ mbetet projekt nën mesatare, si në skenar, si në aktrim, ashtu edhe në temë. Nota personale: 2/5