Dhe erdhi fundi i njërës nga Kupat e Botës më interesante, dhe njëherë më të mërzitshme ndonjëherë. Këta dy mbiemra do të ndeshen edhe në finalen e madhe për të përcaktuar më të mirin. Dhe shpesh jo më i miri fiton, prandaj mos u befasoni në rast se argjentinasit të kurorëzohen si ‘më të mirët’ e botës.
E Argjentina ka qenë kombëtarja me lojën më të mërzitshme në këtë garë. Qysh nga grupet deri në finale ka pasur kundërshtarë më inferior se Gjermania, Brazili, e edhe Holanda.
Anti-futbolli….
Skuadra e Sabellas nuk ka luajtur futboll. Ka kërkuar një rast për të dërguar topin në portë, dhe më pas ka pritur fishkëllimën e fundit të referit. Ngjashëm ka ndodhur që nga ndeshja e parë kundër Bosnjës e deri tek përballja me Holandën.
Argjentina është ‘Greqia 2’ që na vjen 10 vite pas kampionatit evropian më të dobët në histori të futbollit. Kampionatit që solli ‘befasi’ dhe lojë të mërzitshme, të kota falë Otto Rehaggelit. Ngjashëm grekët ishin afër të kalonin edhe në çerekfinale e në gjysmëfinale ndoshta. Paramendojeni çfarë ndeshje do të ishte Argjentina – Greqia. Sigurisht jo sikur ajo e ‘94tës.
Argjentina nuk është skuadër e keqe. Ka individ të mirë, por (anti)futbolli që po tregon në këtë Kupë Botë nuk meriton të shpërblehet me asnjë medalje, e lëre më kupë. Loja bazohet në kërkimin e Messit, i cili si gjithmonë me Argjentinën është i përgjumur. Individët tjerë për shkak të arrogancës së tij në fushë janë të detyruar që në çdo rast konkret ti pasojnë topin atij në plan të parë, dhe vetëm nëse ai nuk është në dispozicion atëherë të kërkojnë alternativa tjera. E këto alternativa mungojnë.
Kjo e bën lojën e Argjentinës të bajatshme.
Ekipi…
Në anën tjetër Gjermania nuk ka individ por ka ekip. Ka edhe një trajner që dështon në ndeshje të mëdha. Në Afrikë të Jugut kundër Spanjës ishin të tmerrshëm pasi shkapërderdhen Anglinë dhe Argjentinën. Në Euro 2008 kundër Turqisë fituan vetëm pse gjysma e ekipit të Terimit ishte e lënduar. E pastaj turpërimi nga Italia.
Shpresoj që Loew të ketë mbledhur mend dhe të ofroj së paku gjysmën e asaj që treguan në gjysmëfinale kundër Brazilit.
E në gjysmëfinale loja me qendërsulmues u tregua më e frytshme se stili i Spanjës pa asnjë 9sh. Klose bëri mjaft për të hutuar David Luizin e Danten duke krijuar hapësirë për pesë lojtarët tjerë të repartit të sulmit. Kthimi i Lahm në krah ka lënë më shumë hapësirë për kreativitet dhe fizik në mesfushë.
E për të fituar duhet të bëj të njëjtën gjë që kanë bërë ndaj Portugalisë dhe Brazilit – të luajnë sikur kundërshtari nuk ekziston në fushë. Të bëjnë lojën e tyre pa i vënë mendjen kundërshtarit.
Këtë gabim e kanë bërë krejt kundërshtarët e Argjentinës pos Bosnjës të cilës i kishte munguar vetëm fati për të shënuar më shumë gola.
Për kupën…
Pra, Gjermania duhet të bëj lojën e saj duke injoruar vet ekzistencën e kundërshtarëve në fushë. Të mbajnë topin të hapin sulmuesit anësor, me një mesfushë të postuar lart, dhe të kenë një pikë qendrore në sulm – Klosen.
E Argjentina? Epo Argjentina mund të bëj diçka, apo mund të rrinë badihava siç kanë bërë deri tani. Ose ose… ja një ide gjeniale… të luajnë FUTBOLL!
Luan Morina
Kolumnist për Shqipmedia
You must be logged in to post a comment.