“Jeta mund të kuptohet nëse e shikojmë mbrapa; por duhet të jetohet duke shikuar para.” – Soren Kierkegaard
Tashti, nëse ndaleni për një çast, dhe shihni disa momente të pakuptueshme në kohën e tyre, do të mund të gjeni lidhjen, qoftë edhe indirekte, që ato momente kanë pasur me ngjarje të rëndësishme në jetën tuaj.
Njëjtë vlen edhe tek shumica e filmave. Por, për dallim prej jetës, disa filma fusin momente të parëndësishme të cilat mund të duken të kota në fund të filmit. Ndoshta kanë qenë të përfshira vetëm si një argëtim anësor, shpërqendrim momental, apo thjesht ndonjë teori për të zënë minuta.
Tek ‘Parasite’ nuk mbeten momente të tilla. Aq sa kam vërejtur. Gjithçka, çdo moment ka një kuptim, i cili sigurisht mund të interpretohet ndryshe nga secili prej nesh. Nuk janë momente të cilat kanë nevojë për laps e fletore (sikur shumica e kryeveprave ruse). Janë momente të thjeshta, të cilat përzihen në një produkt përfundimtar të përkryer.
Është një film ‘çmendurisht’ mirë i punuar.
I përkryer në çdo pikë, në çdo aspekt artistik e teknik. Lirshëm mund ta konsiderojmë si njërin ndër prodhimet më të mira të viteve të fundit. Nga skenari, nëpër aktrim, deri tek fotografia, filmi shkëlqen. Vazhdimisht.
Më duhet të pranojë që, marrë parasysh edhe një poster të filmit, kah mesi e kisha një ide që fundi do të ishte thjesht një mashtrim klasik në bërje. Dhe pastaj…
Nëse nuk keni informata për filmin, ‘Parasite’ sjell jetën e një familje ‘klasike’ katër anëtarësh – prindërit me një djalë e një vajzë. Të papunë dhe duke jetuar në një ‘zgavër’, ata nisin të shfrytëzojnë mendjelehtësi e një zonje të pasur, një familje krejt e ngjashme, por e një shtrese aristokrate. Fillimisht djali i të varfërve nis të japë mësime për të bijën e të pasurve, pastaj e bija e të varfërve nis edukimin e djalit të vogël të së pasurve, dhe kështu me radhë… por, jo ashtu siç po mendoni ju.
Filmi merr drejtime të çuditshme, me të papritura ekstreme. Si rezultat, kemi përfundime e mbyllje shtigjesh të cilat na lënë neve si shikues të hutuar me atë se çfarë e si duhet të ndjehemi. Kjo pasi për të gjitha ndjenjat tona karshi ngjarjes ka një peshore që të matë të dy anët e ndjenjave për karakteret, duke na pajisur me një rezultat neutral, njëkohësisht racional.
Nuk është kaq filozofik sa po e bëjë, por në fund do të mund të bëni një filozofi të tillë. E deri në fund, do të kënaqeni me një super-film. Nota personale: 5/5