Nuk kam pritur shumë nga ky film. Nuk kam pasur edhe shumë informata paraprake, megjithatë në bazë të përshkrimit, trailerave, më ka lënë goxha skeptik.

Pra, është një anije kozmike e cila është duke udhëtuar nëpër hapësirë për të arritur tek një planet i porsa zbuluar. Gjatë rrugës, të gjithë pasagjerët janë të vënë në gjumë i cili duhet të zgjat edhe nja 90 vite nga momenti kur nis filmi. Por, për shkak të një defekti, njëri nga pasagjerët zgjohet papritmas. I vetëm nga disa mijë pasagjerë aty, ai provon të zbuloj arsyen pse është zgjuar i vetëm. Dikur mëson që ka edhe 90 vite rrugë për të mbërritur në destinacionin e tyre. Me një fjalë, do të vdes i vetëm, pa arritur në planetin e ri. Por, ka një plan. Planin e mësoni në film.

Ndoshta, ndoshtaaaa përshkrimi mund të ju duket si një ‘Locke’, por s’është. Së pari, ‘Locke’ është nja njëqind herë ma i mirë, pastaj ka më pak komunikime me njerëz. Përkrah Chris Pratt që ka rolin kryesor, e atij të zgjuari para kohe, në film i pranishëm është edhe Micahel Sheen. Ai luan një robot android, i vetmi që i ngjan njeriut dhe që shërben pije fantazmave, pasi të gjithë janë në gjumë. Me të Xhim Preston – karakteri i Pratt, do të kaloj shumicën e kohën.

Skenari është mirë i përgatitur. Shumicës mund ti duket si një film ‘cheesy romance’ ose siç preferoj ti quaj limonadë, por jam bazuar më thellë, tek karakteri i njeriut, frika, zgjedhjet, lidhjet, e shumë filozofi tjera tek të cilat nuk keni nevojë të përqendroheni nëse vendosni të shihni këtë film. Skenari, bashkë me detaje tjera të botës së krijuar aty, si dhe atyre teknike që mund të shihen vizualisht ka qenë cilësor për mendimin tim. Jon Spaints ia ka haber këtyre lloj filmave. E edhe Morten Tyldum nuk është bash fillestar për regji. Ndoshta nuk është filmi më i mirë i tij, ama bën goxha një punë të mirë.

Personalisht jam befasuar për të mirë nga gjithçka që ofron ky film. E thashë që dikujt mund ti duket i mbivlerësuar, palidhje, por, besoj që dikujt edhe do ti pëlqej. Për mua merr një notë të mirë. Nota personale: 4/5