Categories
Filma

Patton (1970) – Recensim

“Mbani mend që asnjë bastard nuk ka fituar luftën duke vdekur për vendin e tij. E ka fituar duke bërë që tjetri bastard budalla të vdesë për vendin e tij.”

Kështu e nis fjalimin gjenerali George S. Patton Jr., në tentim për të inspiruar ushtarë të rinj që do t’i bashkohen ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, fjalim që pas kësaj fjali hyrëse vazhdon me lëvdata për popullin amerikan, shpirtin e tyre luftarak, dhe inatin që kanë ndaj humbjes.

Një film i gjatë gati tri orë, është një biografi e njërit nga gjeneralët më kontrovers të portretizuar në film, derisa provon të sjellë një kënd më ndryshe të luftës, të cilën qasje do ta shohim edhe në shumë filma tjerë pasues.

Ashtu siç tregon titulli filmi është i përqendruar në rolin kryesor, jetën luftarake të gjeneralit Patton. Gjenerali portretizohet mrekullueshëm nga aktori George C. Scott, i cili mishërohet me karakterin në përçimin e emocioneve, të cilat vazhdimisht janë një luftë ndërmjet njeriut dhe luftës, derisa pamja e jashtme përshtatet me shpirtin luftarak e të pashpirt të gjeneralit. Një performancë që meriton Oskar, të cilin shpërblim e kishte refuzuar atëbotë.

Gjatë monologëve e rrëfimeve të tija nëpër film, Patton sjellë histori lufte nga ushtarakët e tjerë, gjeneralët legjendar, të cilët shfaqen si mentorë të tij. Përgjatë gjithë filmit, kemi skena të këtilla që na bartin në kohë. Pra, është edhe një mini-orë historie!

Edhe pjesa teknike në kapjen e skenave është e realizuar goxha mjeshtërisht. Për këtë është shpërblyer regjisori Franklin J. Schaffner i cili më parë kishte realizuar ‘Planet of the Apes’. Skenari i adaptuar nga libri biografik, është realizuar nga Francis Ford Coppola, dhe këtë besoj që e njohin shumica.

Filmi mbetet i gjatë, i stërholluar në çaste, me detaje të parëndësishme që zënë vend në skena që stërzgjaten. Sot, zor që do ta shikonte ndokush, pos nëse dëshiron të dijë më shumë për luftën dhe filmat luftarak. Ose të kryejë listën e filmave që kanë fituar Oskar. Pjesa teknik e fotografia janë të shkëlqyeshme, por jo aq sa aktrimi. Nota personale: 4/5