Categories
Dokumentarë

Pavarotti (2019) – Recensim

“Çka jam unë, i suksesshëm apo i famshëm? Këtë nuk e di dhe nuk më intereson. Njerëzit më njohin në rrugë, por unë kam tri bija dhe një grua, dhe kur jam në shtëpi e di çfarë jam – asgjë! Zero.”

Luciano Pavarotti

Tenori më i njohur, Luciano Pavarotti e thotë këtë në pjesën e parë të dokumentarit për të, duke shfaqur modestinë e tij prej një artisti, por mbi të gjitha një familjari. E të gjitha këto do të sfidohen me kalimin e kohës nëpër filmin biografik për njeriun zërin e të cilit nuk e ka dëgjuar vetëm një neandertal, pasi edhe për jashtëtokësorët eventual është pothuajse e pamundur të kenë hasur në qenien tonë e të mos kenë dëgjuar ndokund atë zë buçitës.

Më i popullarizuari nga treshja e famshme që pati gisht në ndryshimin e botës në fund të shekullit të kaluar, ishte katalizatori i ndryshimeve të mëdha sidomos në aspektin humanitar. Nuk ishte vetëm zëri i tij që depërtonte thellë në shpirtin e dëgjuesve të veprave më të mëdha artistike. Luciano Pavarotti, siç dëshmohet nga shumë persona të intervistuar në këtë dokumentar të Ron Howard, arrinte të bindte edhe më kryeneçët të bashkoheshin me të në kauza të mëdha në ndihmë nevojtarëve. Në këtë dokumentar vërejmë Pavarottin përtej një tenori të mahnitshëm. Vërejmë një njeriu me zemër të madhe e shpirt human.

Dokumentari është realizuar nga Ron Howard, i cili ia del të kompletojë një mision të mbledhjes së informatave dhe incizimeve, por mbi të gjitha rrëfimeve nga kohët më të vjetra deri pas vdekjes së Pavarottit. I shtruar për mrekulli, dokumentari nga ofron një pamje të jetës së Pavarottit në detaje të hollësishme. Megjithatë, në fund mbetemi të uritur për të ditur edhe më shumë për të, për t’i dëgjuar zërin, për të parë atë buzëqeshje që kurrë nuk i ikën nga fytyra e atyre dy syve picirrukë.

Pavarotti sjell tenorin e madh, artistin e shkëlqyeshëm, njeriun madhështor, ashtu siç nuk e kemi parë. Është një dedikim i realizuar për mrekulli nga Ron Howard. Nota personale: 5/5