Categories
lomsh

Përfundimtare për qejfi – Kronikë amerikane

Ndryshimi i formatit të ligës në NHL po ofron një fund-sezon fantastik. Derisa shkakun për këtë pranverë në NHL po e shohim qartazi, të njëjtën nuk mund ta themi edhe për NBA. Ndeshjet e para sollën befasi pas befasish dhe po premtojnë një përfundimtare fantastike edhe në basketboll, edhe përkundër mungesës së Celtics, Lakers, dhe si zakonisht së fundmi Knicks të cilët nuk i ndihmoi në fund as Phil Jackson.

Pacers kanë qenë favoritët e mi personal në Lindje që nga fillimi i sezonit. Por, javëve të fundit kanë marrë një tatëpjetë në formë. Humbja ndaj Hawks vetëm sa shpreh këto mangësi në rotacion. Diçka nuk gërryen mirë si ekip dhe kjo mund tu kushtoj me një eliminim të hershëm. Hawks nuk janë për tu hedhur poshtë. Ngjashëm nuk janë as Wizards, edhe pse të fitorja e parë kundër Bulls mund të jetë më shumë e rastësishme se sa serioze. Nene dominoi trapezin dhe nëse kjo ndodh përsëri, atë Washington mund të mos jetë lehtë për tu kaluar nga Chicago, skuadër që të gjithë dëshironin të shmangnin në përfundimtare. Janë ‘delja e zezë’ që mund të përfundoj me titull, së paku në Lindje për mendimin tim. Vetëm paramendojeni një gjysmëfinale ndërmjet Washington dhe Atlanta nëse arrijnë të ndërtojnë mbi fitoret e para.

Në anën tjetër nuk duket se do të kemi befasi. Miami dhe Brooklyn duket se do të kualifikohen lehtë dhe qetë, pa shumë mundim dhe angazhim në këtë rreth. Nuk besoj se ndonjë skuadër mund të mbyll këtë rreth me 4-0 pos këtyre dyjave. Kidd është vërtetë një lider nga pankina derisa Heat janë kampion.

Në Perëndim Spurs dhe Mavs pritet të ofrojnë një supersfidë. Kënaqësi për të gjithë fansat e NBA-së është të shohim edhe një herë Duncanin kundër Nowitzkit. Thonë se Duncan dhe Popovich do të pensionohen në rast të një titulli. Pse?! Të dy janë si në ditët më të mira. Vetëm Tony Parker që mund të jetë më mirë se këta dy. Spurs mbeten favoritë për mua në Perëndim. Warriors dhe Portland befasuan në ndeshjet e para. Por, sa mund të qëndrojnë Golden State pa Bogut, dhe sa ndeshje radhazi Aldridge do të mahnit e në të njëjtën kohë Harden do të huq. Thunder nuk do ta kenë vështirë kundër Memphis. Grizzlies nuk janë në atë formën që do të befasonin të tjerët siç ndodhi disa sezone me parë.

Askush s’pritet të kaloj pastër, me zero në gjysmëfinale. Spurs favoritë absolut për mendimin tim, por do të ishte interesante të shohim Warriors apo Trail Blazers në gjysmëfinale.

NHL

Formati i përfundimtareve divisionale në NHL është gjëja më e mirë që ka bërë liga në sistemin e ri. Kjo po vërehet sidomos në Lindje ku skuadrat me WildCard po rrezikojnë më të mirët. Detroit dhe Columbus Blue Jackets – befasia më e madhe e këtij sezoni, kanë siguruar fitore kundër Boston e Pittsburgh, dy skuadrave që llogariteshin për finale. Niskanen ka qenë i mrekullueshëm tek Pittsburgh, por kundërsulmet e Columbus kanë detyruar vazhdimet për Penguins. Bostonin kundër Detroiti po e shpëton vetëm Tuuka Rask. Montreal po kalon si rrufe mbi Tampa Bay. Por, nuk ka qenë shumë kohë më parë kur Habs kishin lëshuar epërsi të ngjashme 3-0 në përfundimtare. Si fans i tyre më duhet gjithmonë të jem i kujdesshëm në favorizimin e tyre edhe pse sivjet shumë mendojnë se mund t’ia dalim deri në fund.

Në Lindje skuadrat me Wild Card nuk i kanë punët si ato në Lindje. Minnesota dhe Dallas janë mposhtur bindshëm nga Colorado dhe Anaheim. Këto dyja nuk pritet të kenë kundërshtarë befasues në gjysmëfinale me St. Louis dhe San Jose.

Perëndimi duket të jetë më i kotë, shumë më i kotë se Lindja në letër, por në akull gjërat janë krejt ndryshe. Fund-sezon fantastik është ky në NHL.