Filma

Pieces of a Woman (2020) – Recensim

Dhimbja merr kuptim vetëm kur ne e ndjejmë atë.

Pa marrë parasysh sa mundohemi të bashkë-ndjejmë me dikë, apo diçka, vetëm kur të na prekë neve, atëherë e kuptojmë efektin e plotë të asaj dhimbjeje!

Dhe, gjinia jonë, jemi me fat që s’do të ndjejmë disa nga dhimbjet që i ndjejmë rregullisht, dhe në raste të veçanta, gratë! Prandaj, është mirë të mbyllim gojën, dhe mos të provojmë të jemi kuptimplotë në aso raste!

E një rast ekstrem i rëndë është temë e filmit Pieces of a Woman, ku jeta e një nëne të re merr kah pikëllues kur lindja e fëmijës së saj përfundon në tragjedi! E tragjedia nuk është asgjë vetëm se pika e fillimit të një odiseje, të një rrugëtimi, të një jete e cila kurrë s’do të jetë më si më parë!

Sepse entropia është m&^!

Dy autorë anonim – Kornel Mundruczo në regji, dhe Kata Weber në skenar – kanë bërë një film goxha mirë të përpunuar, që sjellë emocionet para dhe më shumë pas tragjedisë që godet Marthën. Edhe pjesa teknike përshtatet me temën, me një fotografi të zymtë dhe një zë të heshtur, që përçon tragjedinë që ndjekë Marthën, e sidomos rrugën e rikuperimit.

Aktrimi i Vanessa Kirbyt në rolin e Marthës, një nëne që humb fëmijën dhe nuk di se çfarë të bëjë e si të merret me jetën pas kësaj tragjedie, është fenomenal, dhe plotësisht ka merituar nominimin, e besa edhe Oskarin për aktoren më të mirë të vitit.

Shia LaBeouf vjen në rolin e bashkëshortit të saj, Ellen Burstyn si nëna e Marthës, Molly Parker (Xheki Sharp te House of Cards) si infermierja që asiston në lindje, Sarah Snook (Shiv te Succession) si motra e Marthës. Që të gjithë kryejnë mirë detyrat e karaktereve të tyre, dhe njëkohësisht mbeten në hije të paraqitjes së Vanessa Kirby. Është film që duhet ta shihni patjetër, ndonëse nuk është i lehtë për tu përtypur! Një rrugëtim emocional i një nëne që nuk është nënë, dhe barra e këtij fakti që e përcjellë më pas. Nota personal: 5/5

E gjeni në Netflix – https://www.netflix.com/watch/81128745

%d bloggers like this: