Categories
Milan

Pipomania dhe shkurtpamësia!

Shpresoj që tani jeni qetësuar dhe nuk e keni atë euforinë dhe dëshpërimin nga mbrëmë! Çfarë ndodhi mbrëmë?! “Ishte ai, përsëri vetëm ai, ai i cili na shpëton gjithnjë, legjenda jonë! SuperGrande Pippo!” Kjo ka qenë një fjali përmbledhëse nga të gjithë tifozët rosoner, të gjithë ata që pas lojës nuk dini për çfarë të gëzoheshin dhe përmendni dy gola të Inzagit, dhe mallkonin fatin. Pasi fillova me citime do ta përmendi edhe një: “Reali dha dy gola në pjesëlojën e parë, pastaj pushoi në pjesën e dytë duke ia lëshuar dy gola, dhe shënoi në fund, për t’i treguar se ata bëjnë çfarë të dojnë ndaj Milanit. Për t’i treguar se Reali dhe Milani janë dy skuadra mike të cilat i ndihmojnë në kohët e vështira.”

Asnjëra nga dy fjalitë e mësipërme nuk vlen për mua. Është çmenduri dhe injorancë të mendosh se një njeri ka ndonjë magnet gome për të marrë topin. Është çmenduri të mendosh se një njeri mund të shënojë nga asgjë sepse disa forca të padukshme e vendosin atë në atë pozitë dhe pastaj ato forca, në shumë raste e quajnë “fat” e dërgojnë topin tek ai njeri që të shënoj. Apo ndoshta Filipo kur ka qenë fëmijë është prekur nga ndonjë top radioaktiv dhe tani ai ka afinitet ndaj topave (ashtu siç ka ndodhur Spajdermenin (njeriun merimangë) të cilin e ka kafshuar merimanga radioaktive).

Ta kemi një që gjë të qartë. Milani mbrëmë ishte më i tmerrshëm se ndaj Juventusit. Po të isha në kategorinë e njerëzve që mendojnë se futbolli evropian udhëhiqet nga nëntoka, bastoret, dhe miqësia, do të thoja që Reali ia ka lëshuar Milanit një pikë. Unë nuk besoj në ato budallëqe. Reali nuk ka lëshuar asgjë. Reali ka gabuar rëndë herën e parë, ndërsa herën e dytë ka gabuar rëndë gjyqtari. Golat që kemi shënuar ne nuk janë meritë e jona, e aq më pak e Inzagit. Nuk është ndonjë virtyt të gjendesh pas portjerit sepse as Karvaljo e as Arbeloa nuk do të prisnin një gabim aq amatoresk të Kasijas i cili pothuajse vet shënoi golin, ndërsa Pepe gaboi për shkak të presionit nga Ibrahimoviç. Reali nuk meritoi barazimin. Meritoi fitoren. E vetmja gjë që kënaq milanistët këtë të enjte është një dy golësh i Inzagit. Unë nuk jam aq injorantë dhe i cekët të mbyll sytë para gjithë asaj që ndodhi mbrëmë dhe të kënaqem me ata dy gola, të cilët siç e ceka edhe më lartë nuk janë meritë e jona. Duhet të hapim sytë dhe të shohim realitetin. Milani ishte i tmerrshëm, makabër. Dhe do të ishte katastrofale po të fitonim mbrëmë. Pse?

E para është që nuk kemi luajtur kurqysh, dhe e dyta është gjëja më e rrezikshme. Do të vazhdonim të besonim në këtë grup të harxhuar lojtarësh. Do të vazhdonim kontratën Inzagit, Gatusos, Pirlos e Nestas. Vetë kam deklaruara në kolumnat e mëhershme (pas humbjes nga Ajaksi) që kjo duhet të jetë sezona e fundit e Nestas. Njeriu ka filluar të plaket dhe tani është vështirë të jap maksimumin, sidomos në ndeshjet ndërkombëtare. Unë nuk dua të jem njëri nga ata që do të ofendojnë Nestan, apo ta fishkëllojnë. Ai është legjendë e mbrojtes rosonere, por koha e tij është duke kaluar. Edhe pse mbeti mbrapa tek goli i parë, edhe ndoshta edhe tek i dytë duke prishur grackën e ofsajdit, unë megjithatë nuk e konsideroi atë të jetë hallka më e dobët në skuadër. Tiago Silva ka dhënë aq sa ka mundur duke pasur parasysh që nuk ka qenë i shëruar plotësisht. Ndërsa Zambrota dhe Abate kanë pasur një detyrë më defanzive mbrëmë. Sidomos Abate që ka patur punë me njeriun më të pistë në historinë e futbollit. Mesfusha ka qenë solide. Pirlo ka shpëtuar dy herë gol në fillim të ndeshjes. Tjetër gjë nuk mbaj në mend. Gatuso ka qenë aktiv përsëri. Ka vrapuar, ka luajtur me zemër, por nuk mjaftoi. Boateng ka qenë ai që ka lidhur mesfushën me sulmin mbrëmë. Në rregull, ka gabuar në pasime, por ai nuk është lojtar që do të krijoj pozitë, dhe nëse prek topin më shumë se tre herë ai lojtarë do të gabojë në pasim. Këtë detyrë të Boateng kam pritur që do ta bëj Ronaldinjo. Ai nuk e ka bërë. Por, ka qenë shumë i mirë. Ka vendosur dy-tri herë Ibrën në pozitë për të shënuar, dhe ka qarkulluar topin. Por, duhet të sakrifiohet për Inzagin. Ibrahimoviç ka patur raste dhe ka kontribuar sidomos në golin e parë. Presioni i tij bëri që Pepe të gabojë, e pastaj edhe Kasijas. Ka lëshuar dy raste shumë të mira, por edhe ka pasur ndikim në mbrojtjen madrilene. Pato nuk ka funksionuar dhe ai është dashur të largohet për Robinjon. Por, Robinjo nuk do të luaj futboll në Milan edhe për shumë vite, shkak i shkurtëpamësisë dhe politikave të vjetra të klubit. Ambrosini është futur dhe nuk ka bërë ndonjë gjë të mirë. Ashtu edhe Sedorf. Inzagi ka shënuar dy gola, por për mua ata gola vetëm mbajnë emrin e Inzagit. Lirisht mund t’i shkruhen Kasijasit, dhe Stefen Çajlldit (gjyqtarit anësor). Nuk di çfarë i bëri Xabi Alonso që e rrëzoi. Nuk di si mendonte të driblonte, Marçelon, Karvaljon dhe Pepen. Nuk di a e di se sa vjet i ka.

Por, e mira në fatkeqësi është barazimi. Mund të më quani të çmendur, anti-milanist, madrilen, e çka të dëshironit. Por, pikërisht kjo më bën një milanist të vërtetë. Po të fitonim mbrëmë, do të ishte një vetvrasje për ne, ashtu siç ka qenë titulli i 2007. Po të fitonim mbrëmë, Inzagi do të ishte një super-hero, do të fitonte një kontratë dy vjeçare, e gjithashtu edhe Gatuzo, Pirlo, e Nesta. Nuk do të blenim Boatengun, Amelian, e as Ibrën (të gjithë në huazim, edhe pse më duket se jemi të obliguar të blejmë Ibrën në bazë të kontratës). Bile ka patur mundësi me kthy edhe Favallin. Do të vazhdonim të besojmë si të verbër në këtë gjeneratë, ashtu siç po bëjmë që tre vite. Do të prisnim për suksese çdo vit, ashtu siç po bëjmë që tri vite. Dhe koha do të kalonte, ashtu siç po kalon. “Siamo a posto cossi (mirë jemi kështu)” – thoshte Galliani para tre viteve, dhe kemi mbetur ashtu siç kemi qenë. Të tjerët kanë evoluar. Kanë ripërtrirë skuadrat dhe tani presin të fillojnë periudhat e gjata ku do të korrin suksese. Ndërsa ne do të vazhdojmë të shpresojmë në diçka të shterur. Do të vazhdojmë të jemi shkurtpamës dhe të kënaqemi falë gabimeve të tjerëve. Të bënte të pikëlluar gëzimi i dy tifozëve në radhën e parë në San Siro mbrëmë pas golit të dytë. Ishin të gëzuar tejmase, donin të pëlcisni nga gëzimi. Por, pikërisht ajo të vret. Shkurtpamësia. Nuk e dinin për çfarë gëzoheshin. Mendonin se kemi fituar tituj, ndërsa ishte vetëm një skuadër që po humbiste në anën tjetër. Këto janë për tu mbajtur mend në tri vitet e fundit. Fitorja ndaj Realit, fitoret ndaj Juventusit, dhe disa transferime të lodhura. Tani qarkullojnë zëra se do të transferojmë Del Pieron. Ne nuk jemi të interesuar të fitojmë, por, të plasim interistët dhe juventinët. Të na shesin mijëra dresa me Ibrahimoviçin dhe Del Piero, ashtu që ne të plasim kundërshtarët tanë. Kemi rënë shumë poshtë. Tepër.

Raul ka arritur shumë më tepër suksese me Realin, se Inzagi me ne. Është shumë më i ri. Hiero ka qenë yll i skuadrës madrilene, por është larguar pasi kanë fituar titullin së bashku me trajnerin Visente Del Boske. Zidan, Figo, Bekëm, Roberto Carlos, Ronalldo, të gjithë kanë qenë yje të skuadrës i kanë sjellur tituj, dhe janë të respektuar. Por, kur është dashur të largohen, i kanë larguar. Të gjithë duartrokiten kur kthehen aty. Ne i ruajmë yjet. Dëshirojmë të jemi mbifalënderues dhe i mbajmë që të na prishin të ardhmen. Dhe asnjëri nuk vlen sa ata që i përmenda më lart. Reali ka suksese sepse nuk frikësohen të bëjnë ndryshime. Më mirë do të pranoja një sezonë me pozitën 14 në renditjen tabelare 2006/2007, dhe të largonim jo vetëm Shevën, por edhe këtë garniturën e vjetër, se sa këtë atë titull, dhe tri sezone duke u munduar të sigurojmë pjesëmarrje në Ligën e Kampionve, e të harrojmë për tituj, ashtu siç kemi harruar.

Luan Morina

Kolumnist i rregullt për ACMilan-Shqip