Categories
Milan

Pippo Inzaghi – Milan vs Empoli

9.70

Nuk ka gjë më të mirë për një sulmues që të shënoj gol sa më herët në fillim të kampionatit. Gëzim më të madh se të shohësh Baccan dhe Luiz Adrianon të shënojnë qysh në ndeshjen e dytë nuk ka. Sidomos goli i parë që erdhi në bashkëpunim të këtyre dyve. Depërtimi dhe dedikimi i Baccas më kujtonte Kakan kundër Celticut në ata 120 minuta tensionues në Champions.

Goli i dytë i Luiz Adrianos më në fund na jep shpresë që mund të jemi produktiv në ndërprerje – diçka që kemi vuajtur me vite.

Nëse asgjë, së paku sulmin e kemi për qejf këtë sezon. Sikur të kthjellej edhe mesfusha. Sa më herët aq më mirë!

Pippo Inzaghi

Vitin e kaluar, mbi 90% të intervistave të Inzaghit na kanë bërë të dukemi si ai gjahtari tek filmat e vizatuar të Buggs Bunnyt. Ata që e mbajnë në mend këtë film të vizatuar e dinë shumë mirë që shpeshherë gjahtari përfundonte në ajër dhe për momentin shfaqej figura e gomarit në vend të tij për të dëshmuar marrëzinë që kishte.

Ashtu edhe pas shumicës së lojërave ku nuk kishte katër pasime radhazi nga Milani, dilte Pippoja dhe na thoshte se çfarë ndeshje e mirë kishte qenë nga ne, sa gjëra pozitive ishin shfaqur e gjëra tjera. Na bënte të ndjeheshim si budalla dhe të rishqyrtonim dioptrinë dhe mbi të gjitha mençurinë tonë.

Në fund të çdo ndeshjeje, sidomos pas Empolit, përkundër fitores Mihajlovic hodhi në pah ato që i pamë – një mesfushë joekzistente. Tha që pa sulmuesit do të kishim humbur këtë ndeshje dhe se duhet qasje e ndryshme në mesfushë.

Mesfusha ishte e ngjashme edhe kundër Fiorentinës. Por, për të përmirësuar u angazhuan Suso e Nocerino. Asnjëri nuk funksionoi. I zëvendësoi të dytë. Sigurisht Mihajlovic ka lexuar Ajnshtajnin dhe e di që të provosh të ia dalësh në të njëjtën mënyrë pasi njëherë dështon, pa ndryshuar asgjë është karakteristikë e të marrëve që vendosnin Muntarin si kapiten.

Nëse asgjë, Mihajlovic nuk po na bën të ndihemi të marrë. Po është i sinqertë. Por, duhet të jetë edhe strateg dhe të zgjedh problemin e mesfushës. Sa më herët aq më mirë!

Bertolacci

Shumë kritika të ashpra ndaj Bertolaccit. Sidomos për shkak të çmimit të transferimit. Ka qenë ndër transferimet e para, dhe ndoshta pak të ngutshme, por megjithatë, besoj që ka potencial për të qenë më i mirë se që po tregohet tani.

Të gjithë kemi ditët, javët, e muajt e këqij. Sigurisht edhe Bertolacci ka përjetuar një të tillë. Më pëlqen Milani sa më shumë italian, pasi besoj që vendasit më shumë ia dinë vlerën fanellës kuqezi. Më shumë se emra si Essien, Traore, e Constant. Nuk ka asgjë shoviniste këtu!

Bertolacci do e gjej veten, sidomos në mungesë të presionit që për momentin është bajagi i pranishëm. Mbledhja me Italinë mund ti ndihmoj. Sa më herët aq më mirë!

Luan Morina për ACMilanShqip