“Hajde, kur po na e bon edhe ti ni ksi neje, të k’naqemi edhe pak sa jemi gjallë?”
Çfarë përgjigje ju jepni farefisit në këto pyetje që ju shtrojnë në dasma? Okej, butë, e çfarë ju shkon në mendje? Kill Bill Vol. 1 a Kill Bill Vol. 2?
Nuk di pse duhet të bëjmë gjëra që nuk i duam, për shembull të shkojmë në dasma qoftë edhe me fytyrëngrysur, dhe të mpihemi ulur duke pritur vaktet e ushqimeve një nga një, para se t’ia mbathemi për në shtëpi derisa mblidhen pjatat e darkës, sepse kush dreqin pret tortën që – sikur gjithçka nëpër dasma – është e mbushur me ‘shllag’, sipërfaqësore, pa asgjë brenda, asnjë substancë, thjeshtë ajër i kotë!
Që të shmangin kësisoj raste, Alisa dhe Ben, dy miq të lidhur nga shoqja e Alisës dhe ish-e dashura e Benit që nuk është më në jetët e tyre, lidhin një pakt që të shkojnë në dasmat e njëri-tjetrit gjatë një sezoni veror, derisa Alisa do ta ndihmojë Benin të gjejë atë që kërkojnë të gjithë – vajzën e përkryer -e cila sipas Alisës më shumë është një ide se sa një njeri.
Derisa fillimi i filmit është ashtu i ‘çmendur’, pjesa e dytë merr një nuancë romantike që do të ju sfidojë perceptimin tuaj jo vetëm për dasma, por për gjithçka që lidhet me romancën dhe dashurinë.
Marrë parasysh që filmi vjen nga një çift aktorësh jo aq të njohur – Maya Erskine dhe Jack Quaid; dhe një çift regjisorësh e skenaristët – Jeff Chan e Andrew Rhymer, për të cilët ky është projekti i parë filmik, filmi del të jetë një argëtim i mirë, me një fund që do të ju sfidojë mendimet. Nota personale: 4/5
p.s. është i mirë për të shkrirë akullin e ‘friendzonës’ :p