Është rrënuese kur shikon filma si ‘The Post’ apo edhe ‘Spotlight’ para dy viteve, dhe pastaj të kujtohesh që jeton në një vend ku ka pordhtale që merren me të pasmet e personave anonim pa fije talenti, dhe budallallëqet që postojnë në rrjete shoqërore fansat e këtyre anonimëve.
Filmi ‘The Post’ sjell historinë e vërtetë të gazetës ‘The Washington Post’ e cila kishte marr një vendim të guximshëm për të publikuar informacione për të cilat prokuroria kishte vendosur se mund të cenonin sigurinë kombëtare.
Në përshkrimin e filmit shihni se filmi përqendrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë tek publikuesja e gazetës që në këtë film portretizohet nga Meryl Streep. Për shkak të mendimeve të mija ndaj karakterit të saj si aktore, dhe si njeri, s’do të doja të përqendrohesha tek Streep. Për më tepër, nominimet e saja për Oskar janë bërë të tepërta, e edhe tek aktrimi nuk është që ka bërë diçka të veçantë në këtë film. Nuk ka pasur ndonjë skenë që të kap, që të mbërthen në vete. Ka qenë një karakter që ka ndihmuar ngjarjen, megjithatë.
Ai që më ka lënë më së shumti mbresa tek ky film ka qenë Tom Hanks. Ai vazhdon të jap aftësitë e tija të zakonshme në aktrim, dhe ia del të përshtatet me role të ndryshme, në situata të ndryshme. Këtu ai luan rolin e kryeredaktorit i cili merr vendimet më të vështira ndoshta në karrierë. Është një model i përkryer për gazetarët aspirues, ngjashëm siç është edhe karakteri i Meryl Streep, dhe krejt ekipit të The Post.
Jep edhe një shtytje jo vetëm për femrat në gazetari, por për guximin në gazetari. Duhej të ngrite emocione tek çdo gazetar që e sheh këtë, dhe tu hidhte një kaci bajge redaktorëve jo vetëm të pordhtaleve. Por, nuk do ta shikojnë. Edhe nëse e shikojnë do të nisin ato arsyetimet boshe për vendin ku jetojnë e punojnë si nuk përshtatet me shoqërinë, e të ngjashme.
Punë të mirë bën edhe Spielbergu në regji. Ngjarja nis pak e shkapërderdhur, për tu formësuar me thellimi në film, në vet ngjarje. Nuk kemi çfarë të përshkruajmë për Spielbergun kur tashmë dihen aftësitë e tija në regji. Ajo çfarë më ka pëlqyer së tepërmi është paraqitja e presidentit Nikson në sfond. Është një tregim në vete me pamje që shfaqen në momentet më të përshtatshme të filmit.
Pos Tom Hanks, aktrimi i Bob Odenkirk e Matthew Rhys më ka pëlqyer tejmase, pa lënë anash edhe pjesën tjetër të ansamblit me karaktere kryesisht antagoniste.
‘The Post’ është një film i përkryer për mediat e sotme, detyrimisht për tu shfaqur në ligjërata në fakultetin e gazetarisë, dhe së paku çdo tremujor nëpër redaksitë e mediave tona. Nota personale: 4/5 (sepse Meryl Streep është bërë bajat)