Categories
Dokumentarë

Prescription Nutrition – Sezoni 1

Çdo gjëje që i qasemi në këtë botë ka disa opsione e mënyra për ta bërë këtë. Kur shkruan për një program televiziv, mund të shkruash për një shikues, për një producent, për një distributor, etj.

E njëjta vlen edhe për ushqimin.

Kur hamë, mund t’i numërojmë kaloritë e çdo gllënjke, të matim çdo lugë a gotë që përpijmë. Ose thjesht mund të shijojmë çdo kafshatë, pa vënë re në mos po e teprojmë e mos po e mundojmë lukthin e veten më vonë.

Ndonëse unë preferoj këtë qasjen e dytë, nuk vetëpërjashtohem nga qasja e parë, dhe rrjedhimisht shikoj edhe seri si kjo që flet për ‘recetat e të ushqyerit’.

Janë katër episode jo shumë të gjata – rreth 20 minuta, nëse nuk gabohem – dhe që të gjitha i pata shikuar në CuriosityStream – një Netflix dokumentarësh që kushton sa dy muaj Netflix, për një vit!

Nutricionisti Michael Geiger, i cili ka edhe një podcast, të cilin mund ta dëgjoni më pas nëse jeni të dhënë pas nutricionit dhe të ushqyerit të shëndetshëm, në secilin episod, bashkë me njerëz që ofrojnë dhe konsumojnë ushqime të shëndetshme, sjellë një pasqyrë të katër kategorive të ushqimeve – gjelbërimet, drithërat, fasulet, ëmbëlsirat.

Secili episod sjellë ushqimet më të shëndetshme nga këto kategori, si dhe mënyrën e përgatitjes së tyre e ndikimin që kanë në trupin tonë. Gjithashtu flet edhe për alternativat e pashëndetshme që përdorim, duke ofruar një diferencë të dukshme.

Ndonëse nuk ndjekë as dietën vegjetariane as atë vegane, kjo mini-seri më ka ofruar goxha informata në lidhje me këto dieta. Por mbi të gjitha, për më pak se një orë e gjysmë, ju mund të mësoni aq shumë për ushqimet sa do të ju ndryshojë edhe jetën! Nota personale: 4/5