Categories
TV Reviews

Project Blue Book – Sezoni 2 (pa spoilera)

Sezoni i parë i ‘Project Blue Book’ ka qenë goxha i mirë. Sezoni i dytë – fantastik!

Dhe çfarë bëjnë nga History Channel? E anulojnë!

A mund t’i futemi konspiracioneve? Dyshoj, pasi që nuk kam parë të ketë pasur shumë fansa të këtij seriali që kishte të bënte me ndjekjen e objekteve të paidentifikuara – UFO-ve nëpër SHBA, pas Luftës së Dytë Botërore.

Hajnek dhe Kuin – (Aidan Gillen dhe Michael Malarkey), nisën këtë sezon me incidentin më të famshëm me tematikë UFO-të në SHBA – Rosuellin. E nisin këtu, dhe vazhdojnë e sillen rreth Area 51, para se të fillojnë të ndiqen nga armiqtë e tyre nga të gjitha anët, përfshirë CIA e FBI.

Që nga fillimi, deri në episodin e dhjetë të këtij sezoni, bashkë me Hajnekun e Kuinin, edhe ne ikim e provojmë të manovrojmë ata që (na) ndjekin në tentim për të fshehur sekretet.

Kemi disa kthesa fenomenale, kur prisnim fundin e heronjve të filmit, por ia dalin që të përvidhen e shpëtojnë nëpër vrimën e gjilpërës. Dhe kjo ngjan gati në secilin episod, deri në fund. E në njërin nga episodet kemi edhe përfshirjen e presidentit Kenedi në këto hetime, asokohe vetëm senator, nëse nuk gabohem. Dhe mendoj që këtu ishte pika kulmore kur edhe iu vë rampa sezonit të tretë eventual.

Për fansat e teorive konspirative me jashtëtokësorë, ky mbetet prodhimi artistik më i mirë i viteve të fundit. Fakti që bazohet në ngjarje të vërtetë dhe dokumente të profesor Hynekut, e bënë këtë seri më serioze e më të besueshme.

Sigurisht, ne mund të vazhdojmë me sezonin e gjashtëmbëdhjetë të Ancient Aliens, por ‘Project Blue Book’ mbetet një seri e anuluar në momentin më të mirë të saj. dhe ky është mëkat. Nota personale: 5/5