Categories
Filma

Promising Young Woman (2020) – Recensim

Vetëm 7 minuta e 17 sekonda të nevojiten ndonjëherë për të ‘duruar’ filmin që të sigurohesh se do të kënaqesh për minutat e mbetura! Janë 3 sekondat e fundit e kësaj periudhe që të përgatisin për një aventurë të kënaqshme hakmarrëse!

Për pjesën më të madhe të këtyre minutave, Carey Mulligan në rolin e Kasandrës, është e dehur, e vetme në një ‘kllab’, derisa në ‘ndihmë’ i vije princi mbi kali të bardhë për t’i thënë që ‘gjithçka do të jetë në rregull (për aq kohë sa je e dehur)’.

Nëse e keni parë ‘An Education’ të para disa viteve ku Carey Mulligan luan rolin e një tinejxhereje të dhënë pas artit, atëherë ‘Promising Young Woman’ do të ju duket sikur një vazhdim i atij filmi, një hakmarrje personale e Mulligan.

Nga ai film, ku kemi një harmoni të bukur skenike të Carey Mulligan me Alfred Molina, na vjen edhe një pjesë shumë e shkurtër e të dyve në skenë, në role të ndryshme, që për neve fansave të atij filmi, dhe filmave britanik në përgjithësi, sjell një nostalgji të ëmbël.

Promising Young Woman sjell Carey Mulligan në rolin e një vajze në të tridhjetat e cila ka lënë fakultetin e mjekësisë për shkaqe që do të zbulohen më vonë gjatë filmit, por që kanë të bëjnë nga dhuna e meshkujve dhe pasojat e saja ndaj gjinisë së kundërt në vitet e studimit, dhe jo vetëm.

Kjo është arsyeja pse Carey Mulligan ka zgjedhur një rrugë hakmarrëse, e cila është inspirim për çdo njeri me mendje të shëndoshë!

Marrë parasysh që është produkti i parë si skenariste e regjisore për Emerald Fennell, filmi ofron gjithçka që do të prisnim nga një histori e këtillë. Personalisht, ka qenë një shtjellim i përkryer, përfshirë edhe fundin, që mund të kishte ndjekur edhe alternativa tjera, por që kjo që ka është më e mira për mua.

Megjithatë, është Carey Mulligan që e gllabëron këtë film me aktrimin e saj, duke e bërë një hakmarrje personale, që besoj, uroj, të fitojë shumë pasues e përkrahës në mesin e neve shikuesve. Nota personale: 5/5