Categories
Filma

Psycho (1960) – Recensim

E dua Hitchcockun!

E konsideroj si ndër artistët më të mëdhenj të filmit, dhe me Wilder e Capra duhet të jenë aty në majën e të preferuarve të mi! Por e urrej ‘Psycho’!

Padyshim që ‘Psycho’ është ndër trilerët psikologjik me ngjyrë të konsiderueshme horrori më të mirë të realizuar ndonjëherë. Një abetare për të gjithë filmbërësit, diçka që kurrë nuk kam aspiruar të jem.

Por, konsideroj që vepra e Hitchcockut ka edhe dhjetëra filma më të mirë se ky, pa përfshirë orët e tija televizive! Megjithatë, ‘Psycho’ është botë në vete, ndonëse jo bota ime e preferuar.

Krejt historia e ‘Psycho’-s nis kur një sekretare përvetëson rreth 40k dollarë nga klienti i punëdhënësit të saj, dhe merr arratinë. Rrugës, ajo vendoset në një motel që udhëhiqet nga një djalë i ri, i komanduar nga nëna e tij.

Skenari është fantastik, regjia e papërsëritshme, aktrimi fenomenal. Diçka e veçantë është muzika që i jep formën këtij filmi.

Hobi duhet të shërbej për të kaluar kohën e lirë, jo për të mbushur atë.”

Këtë e deklaron karakteri kryesor, Norman Bejts derisa i tregon Merion Krejn për hobin e tij. E hobi i tij është taksidermia – balsamimi, mbushja e lëkurës së kafshëve të vdekura, shumë prej të cilave ruhen në shtëpi banimi, të cilat nuk do të vizitoja edhe po të paguhesha!

Filmi nuk të tmerron vetëm me pamje, nuk t’i fut të dridhurat vetëm me disa nga skenat më të famshme në histori të filmit, me fokusimin e kamerës në portretin e aktorëve, shoqëruar nga muzika e llahtarshme. Filmi të tmerron edhe me disa nga fjalët që thonë karakteret kryesore, sidomos këto të Norman Bejts.

Anthony Perkins e Janet Leigh janë të jashtëzakonshëm. Vera Miles, John Gavin, e edhe pjesa tjetër e ansamblit që shtohen në numër me kalimin e kohës, falë mjeshtërisë së Hitchcock, zotërojnë hapësirën që u jepet.

Filmi është ndër më të mirët të realizuar ndonjëherë. Më shumë se për shikuesin, ka rëndësi për të pasionuarit për punën në film, para e pas kamerës. Pjesë e abetares kinematografike. Film monumental. Nota personale: 5/5