Categories
Filma

Pulp Fiction (1994) – Recensim

Është një bos kriminal dhe ka dërguar dy të besuar të tij për të marrë ‘hakun’ e tij. Në plan të parë, nëse përshkruajmë këtë film, duket si një film kriminal, gjë që edhe është, por i pazakontë. Nuk shkojmë mbrapa në kohë për të mësuar historinë e karaktereve kryesore. Përkundrazi.

Filmi nis në një restorant me një çift që vendos të vjedhë restorantin në fjalë me teknikën e tyre tashmë të dëshmuar. Pas këtij plani, zhvendosemi tek Vincent dhe Jules – dy të besuarit e përmendur më lart. Rrugës për tek caku i tyre, ata zhvillojnë një dialog që nuk ka lidhje aq shumë me punën e tyre. Nuk ka lidhje as me jetën e tyre private. Nuk ka kurrfarë lidhje, por prapë është i shkruar me një penë aromatike!

Janë dialogët që e bëjnë ‘Pulp Fiction’ njërin ndër filmat më të mirë të shkruar, skenarin e këtij filmi e vendosin aty në kavanozin e mjaltës së kinematografisë. Është i pashpjegueshëm – do ta cilësoja më mirë kështu, pasi nëse i futemi detajeve, do të mbesim deri në mëngjes duke gjetur pikat kulmonte, duke kaluar një natë mbi çati!

Dialogët – gjenial!

Skenat, ndarja e ngjarjeve – dyfish gjeniale!

Ndërlidhja që bëhet ndërmjet këtyre ngjarjeve, ia kalon dialogut. Është vetëm një shembull për superioritetin psikik të QT në zejen e tij. Mund të them se është njëri ndër filmat më të përsosur në aspektin kreativ e teknik. E pastaj i shtojmë aktorët!

Tim Roth me Amanda Plummer.

Maria de Medeiros me Bruce Willis.

Bruce Willis me Ving Rhames.

Uma Thurman me John Travolta.

John Travolta me Samuel L. Jackson.

Harvey Keitel me John Trvolta e Samuel L. Jackson.

Secila skenë që përfshinë këto kombinime është e përkryer në aktrim. Të nxjerrësh më të mirën, një paraqitje sipërore nga të gjitha këto kombinime, në një film të vetëm, është e jashtëzakonshme.

Por, jo për Quentin Tarantinon.

Pulp Fiction’ mbetet njëra nga krijimtaritë më të përsosura në kinematografi. Thjesht është gjenial, sikur skena e vallëzimit të Mias e Vincentit. Nota personale: 5/5

E gjeni edhe në Netflix – https://www.netflix.com/watch/880640