Çka është lumturia?

A është diçka universale, diçka që të gjithëve na bën të lumtur? Paraja, familja, vetura, apo bartja e një valixheje të një plaku deri në stacion të autobusëve? A është për të gjithë e njëjta lumturi që e ndjek Kris Gardner tek ky film?

Ngjashëm sikur filmat, disa ju bëjnë të lumtur juve, disa të tjerët, edhe lumturia vjen në forma të ndryshme për persona të ndryshëm. Për shembull, ky film për shumëkënd është inspirim, një rrugë e drejtë tek lumturia, për disa tjerë veç një kronikë torture.

Në këtë film mjaft të popullarizuar, Will Smith vjen në rolin e një shitësi Kris Gardner i cili ka investuar goxha kohë dhe para në një biznes, në shitjen e disa skanerëve mobil të eshtrave, i cili nuk i ka dal ashtu siç kishte planifikuar. Derisa faturat shtohen, paratë mungojnë, gruaja e tij e lë për tu zhvendosur nga San Francisco në Nju Jork. I biri i vetëm i tyre, Kristofer, mbetet nën përkujdesjen e tij. Rrugëtimi babë e bir vazhdon të kaloj nëpër sfida të papërballueshme e tunele mjaft të errëta. Gjithë kjo në kërkim të lumturisë.

Lumturia është një vend pune në tregti stoqesh, vend të cilin Kris e ndjek duke punuar si praktikant pa pagë ditën, dhe shitës ambulant i pajisjeve të lartpërmendura natën e fundjavave, derisa rrit të birin e vetëm.

Aktrimi është në nivel. Will Smith e Jaden Smith janë më shumë në plan të parë, derisa Thandie Newton për pjesën e parë të filmit luan një rol të një gruaje me karakter antagonist. Në fakt Newton e tepron pak ndoshta, duke provuar të sjell në jetë një grua që nuk beson në ëndrrën. Më ka pëlqyer aktrimi i Brian Howe si Jay Twistle, derisa është interesante të shohim Homer Simpson para kamerave, jo vetëm si zë.

‘The Pursuit of Happyness’ është film inspirues, goxha emocional, por personalisht nuk më ka lënë përshtypje si diçka i jashtëzakonshëm. Kryesisht për faktin se çfarë është ëndrra! Nota personale: 4/5