Categories
lomsh

Qetësia para stuhisë – E hënë, mëngjes! – 04 tetor 2010

Dy muajt e kaluar shërbyen si prezantim i skuadrave për sezonën e re futbollistike. Së pari patëm një prezantim të shkurtër para rrethit të parë kualifikues, një ose dy ndeshje kishin zhvilluar të dy skuadrat. Kjo periudhë që nga ai rreth kualifikues i kombëtareve deri tani te rrethi i dytë, nxorri në shesh shumë gjëra. U zhvilluan edhe dy rrethe të Ligës së Kampionve dhe Ligës së Evropës, që ishte edhe një mënyrë testuese për skuadrat. Shumë skuadra nuk e kanë gjetur veten këtë fillim sezone.

Mjafton të shohim renditjen tabelare në kampionatet më të mëdha evropiane dhe e shihni se kush ka ngecur. Në fillim të sezonës nuk do të paramendonit Lionin (i 17ti), Roma (19), Shtutgart (18), Shalke (17), Bajern (12), Liverpul (18), e Barselona (4).

Gjërat janë kthyer mbrapshtë sidomos në Gjermani. Tri skuadrat e para të vitit të kaluar gjenden në pjesën e dytë të renditjes dhe atë prej 13 deri 17 pikë larg kreut. Eventualisht Bajern, që vlen më shumë se gjysma e skuadrave të Bundesligës, do të pjesën e epërme të renditjes, por, kjo gjë nuk po shihet në horizont. Së paku nuk dukej të dielën kur Borusia e Dortmundit i mposhti me plotë meritë. Nuk është vetëm Bajern, por ka të bëj diçka edhe me fatin. Shanset që kanë humbur mysafirët në fund të ndeshjes ishin të paimagjinueshme. Ndërsa sa u mendua që Shalke do të rikthehet pas tri ndeshjeve me rezultat pozitiv, ata u mposhtën nga Nyrnbergu, dhe vazhdojnë të jenë të parafundit. Ata do të mbijetojnë, ashtu siç do të ndodh me Verderin, Bajernin e ndoshta edhe Shtutgartin. Por, pritet të shihet se sa lart do të ngjiten. E aty lart qëndron skuadra e Maincit. Kjo skuadër po të kënaqë me futboll. Nuk kanë të ndalur, dhe kanë thyer rekordin për startin më të mirë në Bundesligë ndonjëherë. Këtë rezultat e kanë arritur vetëm Bajern në sezonin 1995-96, dhe Kaiserslautern në sezonin 2001-02. Të dy këto sezone titullin e ka fituar Borusia e Dortmundit. Edhe Borusia e ka një start të lakmueshëm, dhe për mendimin tim është kandidat më serioz se Mainci. Megjithatë Mainci sa më shumë që zgjat këtë seri aq më mirë për ata. Nëse asgjë kanë arritur gjysmën e pikëve që nevojiten për të mbijetuar, rreth 40.

Në Angli vazhdon të kryesojë Çelzi. Kjo nuk është fare befasuese për mua. Gjithë çfarë mund të humbas Çelzi këtë sezonë, nëse gjërat ecin siç janë duke ecur, janë pikë në 3-4 ndeshje si mysafire. Kanë humbur nga Siti, dhe kjo mund të ndodh nga Junajted, Arsenal, e ndoshta edhe Totenhem. Edhe pse janë treguar më të suksesshëm se në disa gosti tjera se sa këto që përmenda më lart. Çelzi është një skuadër që nuk nënçmon kundërshtarin. Kjo i siguron pikë në ndeshje me skuadra më inferiore dhe pikërisht kjo i siguron edhe titullin. Firoja ndaj Arsenalit ishte një fitore e madhe, sidomos për Karlo Ançelotin, i cili ishte në varrimin e babait të tij të shtunën, ndërsa të dielën ishte në pankinë të Çelzit, si një profesionist i vërtetë që vetëm ai mund të jetë.

Arrë e fortë për skuadrat e kreut është bërë Sanderlend. Pasi morën pikë nga Arsenali, nga Liverpuli, tani radhën e pati Mançester Junajted. Sanderlend ka këtë qëllim. Të luaj mirë kundër kundërshtarëve të mëdhenj. Ata nuk arrijnë të kualifikohen në Evropë e as të largohen në kategorinë e dytë. Arsenali këtë vit duhet të fitoj ndonjë gjë. Ka kaluar shumë kohë nga titulli i tyre i fundit, por së paku një kupë e ligës do të duhej të vinte në Emirejts. Për t’u lakmuar është durimi i Arsen Venger. Të punosh me skuadrën e Arsenalit është sikur të mësosh fëmijët e klasës së parë fillore. Por, fëmijët më të zgjuar, pasi Arsenali ka një skuadër super-talentësh, dhe të orkestrosh atë skuadër është një punë që vetëm një mësues si Arsen Venger mund të ketë intelekt dhe durim. Nuk është nënçmim është një lavdatë edhe për Arsenalin, e sidomos për Arsen Venger.

Skuadrat e Liverpul akoma kanë trajnerët me të cilët kanë startuar sezonën. Everton ka filluar të këndëllet, por jo edhe Liverpul. Interesant është fakti që tregon se shumica e tifozëve të Liverpul, e dojnë skuadrën të falimentuar, nën pronësi të bankës se sa të amerikanëve Higs dhe Gillet. S’kanë faj tifozët, amerikanët janë të krijuar për futbollin e tyre amerikan, që është një sport tepër interesant.

Gjashtë pas startit të kampionatit spanjoll, dhe të gjithë kanë pritur që në krye të renditjes të jenë Reali dhe Barselona me nga 18 pikë. Tani ato janë në pozitat 3 dhe 4, pas Valensias që ka vetëm një barazim, dhe Vijarealit që ka vetëm një humbje. Barselona nuk e ka më atë sigurinë e saj, freskinë e saj. Edhe pse mbrëmë shënuan një gol shumë të mirë, ata nuk arritën të fitojnë ndeshjen. E kush do të mendonte që Reali do të shënonte 6 gola në një ndeshje. Ata mezi shënuan 8 gola krejt sezonin deri në këtë ndeshje e lëre më 6 në një. E po nëse luan kundër një La Korunje, të cilën e mposht edhe Almeria si mysafire atëherë nuk do të duhej të habiteshit. Shyqyr që pamë 6 gola në një ndeshje të Realit. Së paku do të kenë për çfarë të kujtojnë këto 4 vitet e ardhshme nën udhëheqjen e Murinjos tifozët madrilenë. Është mëkat që me një skuadër të tillë të shënosh vetëm nga një gol në ndeshje siç ndodhi deri të dielën.

Pikërisht Murinjo është fajtor pse ka filluar të lëkudet sundimi i Interit në Itali. Juventus mori pikë në Meaca, ndërsa një javë më herët Roma shënoi fitoren e parë, dhe të vetme ndaj tyre. Do të shohim çka do të bëj Kaljari pas dy javëve. Ndërsa Milan shënoi një fitore minimale me një ndeshje jo të mirë, dhe me një gol fantastik të Pirlos. Mund të jetë goli i sezonit jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë. Lacio është në krye pas fitores ndaj Breshas, ndërsa Çezena e Bogdanit vazhdon të fundoset pas humbjes së tretë më radhë. Udineze shënoi fitoren e parë, ndërsa Roma akoma është e parafundit. Me padurim pres shkarkimin e Mihajloviçit tek Fiorentina. Ose në të kundërtën ata do të rikthehen në Serie B.

Tani skuadrat kanë pushim dy javorë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, dhe kur të kthehen disa do të kthehen edhe më të forta. Disa do të mbesin ashtu siç janë, e disa do të vazhdojnë të fundosen. Fytyra e vërtetë e skuadrave do të duket pas dy javëve kur do të filloj, faza kryesore e sezonit vjeshtor, ku nuk tolerohen më gabime.

Dhe për fund…

Lorik Cana deklaroi se është i kënaqur me tretmanin e tij në Gallatasaraj. Tha se nuk ka probleme me Rajkardin e as me Pollatin. Kjo deklaratë vjen vetëm një javë pas kolumnës dedikuar kësaj çështjeje. Na vjen mirë që e dëgjojmë këtë. Sepse unë nuk jam aspak i kënaqur me atë që po ndodh në Gallatasaraj. Ndoshta goli i parë erdhi pas një gabimi të tij sipas mediave turke, edhe pse ai humbi topin në mesfushë, por ai që gaboi ishte gjyqtari që dha një penallti që në futbollin anglez do të ndëshkohej për simulim. Ndoshta devijoi topin në goditjen e golit të dytë, por faji ishte tek Serkan(nëse nuk gabohem) që lejoi goditjen në rend të parë. Sido që të jetë ai meritoi më shumë se 28 minuta lojë sa i dha Frenk Rajkard.

Luan Morina

Kolumna javore E hënë, mëngjes!