Çdo fitore është e mirëseardhur. Disa vite më vonë, ose disa ditë më vonë askush s’do të mendojë lojën e luajtur kur të shoh renditjen dhe pikët e fituara nga Kosova.

Por, qasja që pati Giresse kundër Qipros ishte e gabuar!

Pjesa e parë filloi me pesë lojtarë që pozicion primar e kanë rolin e qendërmbrojtësit. E tërë linja e mbrojtjes dhe Fazliji janë lojtarë defansiv. Dhe një shtrirje e tillë në fushë do të ishte e kuptueshme, dhe e dobishme kundër një Anglie apo Polonie. Por, ndaj Qipros që pati fat të jetë në Ligën C?

Në pjesën e parë Qipro pati 5 raste shënimi më shumë se ne!

Na dominuan derisa nuk mund të merrnim frymë e lëre më të krijonim raste konkrete shënimi.

PJESA E DYTË

Mund të them që Qipro replikoi atë që bëmë ne në pjesën e parë. Deshën të lënë topin në këmbët tona dhe të presin ndonjë kundërsulm, me idenë që do të lodhemi dhe do të gjejnë një mundësi shënimi ndërkohë. Ose, më saktë, u lodhën.

Qipro nuk janë ekip që mund të përballojë as kombëtaret e rendit të tretë evropian të cilit i përkasim ne.

Nuk ndryshuam shumë nga pjesa e parë sa i përket strategjisë.

Plani A ishte evident qysh në minutën e 25të kur Berisha nuk arriti të realizonte. Këtë e bëri 40 minuta më vonë, nga një aksion i ngjashëm por me rezultat elegant në fund.

Plani B ishte të depërtohej nga krahët dhe në rast të hapësirës të provohej goli dhe kjo ndodhi në minutën e 78të.

ZHEGROVA

Tash 23 vjeçar, i vetmi përparim që ka qenë në karrierën e Zhegrovës ka qenë ndryshimi i ligave. Akoma është i njëjti sa i përket disiplinës si lojtar në ekip.

Zhegrova do të pasojë vetëm kur të mos ketë më ku të shkojë vet, ose kur pret që topi do i kthehet menjëherë që ta vendosë në pozitë për të shënuar. Në fushë, Zhegrova mendon që është i vetëm kundër ekipit kundërshtar!

Në letër mund të dalin edhe 10 driblime, por janë të kota kur topi në fund të driblimit duhet të kthehet tek mesfushori defansiv për të rinisur një aksion të ri.

Njëjtë si fitorja edhe performanca e Zhegrovës erdhi falë kundërshtarit dukshëm më të dobët që patëm, por të cilin e trajtuam sikur të ishte nja dhjetëfish më i mirë se ne.

AGRESIVITETI

Vuajtjet në pjesën e parë ishin të dukshme me rastet e shënimit të kundërshtarëve, pozitat e lakmueshme të gjuajtjeve të lira që u lejuam, kornerët, dhe kartonët që morëm.

Mbrojtja ishte në nivel në pjesën e dytë duke mos lejuar për 30 minuta depërtim në treshen tonë të fushës, dhe kjo është gjëja më pozitive nga kjo ndeshje. Veç atëherë me gjasë ekipi arriti të gjejë veten, pak ndihmuar nga mungesa e sulmeve kundërshtare.

Megjithatë, dy kartonët e Loshajt dhe Dresheviç në pjesën e fundit të ndeshjes janë mungesë disipline por jo aq sa lodhje ekipore. Rrjedhimisht mund të na mungojnë atëherë kur na duhen më së shumti.

VALONI

Në këtë ide të Giresse, Valon Berisha do të jetë lojtari kyç. Me këtë shtrirje në fushë, Valoni mbetet lojtari më i rëndësishëm pasi duhet të jetë lidhja e vetme e mesfushës me sulmin. E njëjta vlen edhe për Loshajn dhe Dresheviç.

Kjo është arsyeja pse bien më shumë në sy, sidomos kur bëjnë punën si duhet – ashtu siç bënë sot ndaj Qipros.

Por, një mesfushë tjetër do të shkaktonte probleme dhe nuk do të lejonte atë hapësirë as mesfushës tonë, e aq më pak sulmit.

MURIQI

Në shumë raste Muriqi ishte i vetëm me katër lojtarë të Qipros. Ndonëse i dyfishuar në shumicën e rasteve – nga qendërmbrojtësit dhe mesfushorët defansiv, sepse këta nuk kishin aq rrezik nga mesfusha jonë, por i lejuan hapësirë të mjaftueshme Valonit te goli – megjithatë arriti asistojë dhe gjente topin.

Gabimet e Qipros ishin dyfishimet e Muriqit derisa lejonin hapësirë për krahët tanë. Dhe kjo vinte më shumë nga hezitimi i Alitit dhe Kastratit për të depërtuar në krahë. Nuk është faji i tyre që nuk depërtonin, thjeshtë asnjëri nuk janë krahë sulmues mbrojtjeje dhe të prisje nga ta të sulmonin do të ishte sikur të prisnim nga Muriç të shënonte.

MURIÇ

Një përparim për mësysh është ky i Arijanet Muriç. Në topa me këmbë ishte i shkëlqyeshëm, njashtu si daljet – të dyja anë problematike gjatë zhvillimit të tij profesional. Dukej edhe më me vetëbesim dhe mendoj që kjo vjen si rezultat i një sezoni të shkëlqyeshëm në Turqi!

BELFAST (FILM FANTASTIK GJITHASHTU)

Është goxha rezultat pozitiv për neve fitorja e Greqisë në Belfast. Si dy ekipet që fituan si mysafirë kundër rivalëve më inferior, Kosova dhe Greqia vendosin veten në luftë për vendin e parë.

Fatkeqësisht, duhet të ndeshemi me Greqinë menjëherë dhe të dëshmojmë vendosmërinë tonë për të luftuar për Ligën B. Dhe Greqia janë tjetër ekip, shumë më i përgatitur se Qipro, të cilët na njohin mirë, dhe me pak mençuri mund të prishin planet e Giresse!

GIRESSE

Fitorja është e mirëseardhur. Por, nëse më duhet të durojë një inferioritet edhe kundër ekipeve shumëfish më të dobëta sa për të nxjerrë rezultat, një lojë defensive, të kotë, pa shumë raste shënimi, atëherë do të bëhesha tifoz i Italisë!

E kuptoj që Giresse duhet të dëshmojë veten dhe të fitojë në fillim që të fitojë përkrahjen e shikuesve. Njëkohësisht duhet të sigurojë një imazh më pozitiv për patronët e tij. Por, për ata pak veta që do të duhet të paguajnë që të shohin ndeshjet e Kosovës tash e tutje, do të ishte më e udhës të bëhej një lojë më e bukur në ato pak raste që kemi mundësi të ndeshemi me ekipe më të dobëta se ne.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: