Categories
TV Reviews

Quo Vadimus

‘The Social Network’ ka qenë film me skenar të shkëlqyeshëm. Nuk ka qenë filmi më i mirë i vitit atëbotë, por ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Ka qenë hera e parë që jam njoftuar me talentin e Aaron Sorkin.

Por, në Sorkinin dhe aftësitë e tij prej skenaristi jam dashuruar në skenën e parë të ‘The Newsroom’. Si njeri që merret me televizionin dhe filmin, ky serial ka qenë mollë parajse e doëner dynjaje per mua.

Pak a shumë i ngjashëm është edhe ‘SportsNight’. I vetmi ndryshim është ambienti që këtu është sportiv në stilin e SportsCentre. Nuk ka fytyra të njohura tani, emra lider në aktrim duke e bërë si zakonisht një punë kasti, ansambli më shumë se sa një serial ku gjithçka rrotullohet rreth një apo dy emrave.
Këtu edhe qëndron zotësia e skenarëve të Sorkin i cili arrin të gjej një trajektoren për tregimin e secilit person në kast, duke e bërë një lëmsh shumëngjyrësh tregimi, por një lëmsh ku secila ngjyrë mund të zbërthehet shumë, shumë lehtë.

Tashti për shkak se nuk dëshiroj të prish fundin dhe ngjarjen si zhvillohet do të mundohem të jap në detaje minimale karakteret dhe lidhjet e tyre. Dan dhe Casey janë dy moderatorët/autorët kryesorë të programit. Të dy kanë tregime interesante, Dan është i dashuruar në producenten e programit Dana-n, por edhe i divorcuar me një fëmijë. Casey ka pasur një jetë më ndryshe më parë, dhe akoma kërkon të duhur. Harmonia e tyre skenike është e mahnitshme, derisa në sezonin e dytë shfaqen disa plasaritje në lidhjen e tyre në serial. Dana është producentë shpesh hiperaktive derisa provon të mbaj të fshehura ndjenjat e saja për Dan. Ka një lidhje shoqesh me Natalien që është asistente e saj. Jeremy është i interesuar për Natalien. Është një maniak sporti dhe i çmendur pas punës së tij. Isaac është shefi i programit dhe shpesh bie në pozitën e pleqnarit që i drejton të gjithë. Për një kohë në serial vjen edhe William H. Macy në rolin e Mike, një karakter që në fillim duket se do të na shkoj nerva, por në momentin kur largohet do të ndjejmë mërzinë për të.

Pra, nga ky përshkrim mund të duket sikur një serial romantik për shkak të lidhjeve të ndryshme, por nuk do ta quaja ashtu. Në shumicën e episodeve preket nga një temë, shpesh tabu, nga sporti dhe shoqëria. Temat jo gjithnjë janë si pjesë e programit të radhës. Dopingu, racizmi, kontrolli i armëve, e shumë tema akoma aktuale, sidomos në SHBA, trajtohen nëpër disa episode.
Më duhet të përmend edhe ‘laughing machine’ që zhduket me sezonin e dytë pas kërkesave të vet Sorkin. Janë disa episoda me kamerën në lëvizje që ndjek karakteret me dhjetëra metra, në disa hapësira të ndryshme, një metodë e përdorur edhe tek ‘The West Wing’, që tregon edhe një anë tjetër të bukurive të serialit përpos shkrimit.

Josh Charles, Peter Krause, Felicity Huffman, Joshua Malina, Sabrina Lloyd, e Robert Guillaume vijnë në rolet kryesore në 45 episodet 20 minutëshe përgjatë dy sezoneve.

Është një serial që mishëron jetën profesionale dhe atë private të karaktereve në një ambient gati ekskluzivisht profesional. Ajo çfarë magjeps nga ky serial janë thëniet, skenari, fjalitë që thuhen dhe që janë… oh sa mirë janë të shkruara. Kjo është arsyeja pse Aaron Sorkin mbetet një nga pesë skenaristët më të mirë të televizionit ndonjëherë për mua.

Tashti është radha për ‘The West Wing’ dhe ‘Studio 60 on the Sunset Strip’ për tu zhytur edhe më tej në magjitë e Sorkin.