Categories
Filma

Quo vadis, Aida? (2020) – Recensim

E kam vra një fëmijë!!!

Dhe padyshim ky është krimi më i madh që kam ba!

E kam vra një fëmijë, që ishte në moshën që fillonte të kuptonte më mirë emocionet, dashurinë, sigurinë, frikën, trishtimin, dhembshurinë!

E kam vra në moshën kur fillonte të pavarësohej, të guxonte të rrinte në shtëpi vetëm, e të mos frikësohej nga valëvitja e perdeve hija e të cilave i bënte forma fantazmash në korridorin e shtëpisë së tij.

E kam vra, sepse këto fantazma ishin armiku më i butë i tij!

Dhe ky rrëfim s’do të vinte kurrë po të mos ishte ky film! Në fakt, 12 minutat e parë të këtij filmi!

‘Quo Vadis, Aida?’ nis me bisedën ndërmjet dy banorëve boshnjak dhe trupave paqeruajtëse, të cilat duhet të garantojnë sigurinë e civilëve boshnjak nga forcat pushtuese serbe. Aida përkthen!

Në fillim të prillit të 22 viteve më parë, një grup pleqnarësh të fshatit patën shkuar në fshatin fqinj për një bisedë të këtillë. Veçse në vend të holandezëve, ishin serbët. Garancia që kishte qenë gjithmonë aktive, nuk ishte më, për faktin se as ata nuk kishin kompetencë mbi të gjithë njerëzit me armë! Njerëz të cilët kemi ‘pritur’ të na shfaqen e na tmerrojnë çdo ditë për 70 ditët e mbetura të asaj pranvere!

Minutat e para, hedhin një trajektore, e cila vazhdon me kolonat e dëbimit, ekzekutimet e të pafajshmëve, pritjet për tu hapur dyert e shpëtimit, dhe të gjitha trishtimet e luftës.

Këto skena, provuan të ringjallnin fëmijën që e kam vrarë 22 vite më parë!

Dymbëdhjetë minuta i mjaftuan që të pushtonte një fëmijë të luftës i cili as në të tridhjetat nuk mund të krenohet që ka lënë luftën mbrapa. Nuk mund të krenohet as që e ka vrarë fëmijërinë e tij. Që është vetëvrarë!

Nuk besoj që mund ta përfundojë ‘Quo vadis, Aida?’ njëjtë sikur shumicën e veprave kinematografike në lidhje me luftërat e viteve ‘90ta. Nuk besoj që e kanë të lehtë edhe fëmijët tjerë të 90tave, të cilët ‘parapubertetin’ (9-12 vjeç) e kanë pasur gjatë asaj dekade, në çfarëdo pike.

Ndoshta me një qasje më të madhe në këtë aspekt nga profesionistët psikologjik e njohësit e çrregullimit të stresit post-traumatik do të na kishin ndihmuar, sado pak, por nuk na ka ofruar kurrë askush diçka të tillë.

Jemi rritur si jemi rritur, por jetojmë që askush të mos rritet sikur ne!

Që askush mos të ketë nevojë të vrasë fëmijërinë e tyre!