Gjashtë vite pas filmit të parë, Ralph dhe Vanellope kthehet në aventurat e tyre, tashti në një dimension tjetër.
Filmi i parë, i cili na kujtonte lojërat klasike para ‘bum’-it teknologjik, kishte ngjallur në një mënyrë nostalgjinë tonë, dhe për dallim prej tematikave të zakonshme të filmave të animuar, kishte sjellë një freski në këtë zhanër. Filmi i dy, provon të arrijë në hap me kohën dhe të joshë shikuesit e rinj, të kësaj gjenerate teknologjike, diçka që më përjashton mua dhe rrjedhimisht mund të prek në objektivitetin e këtij recensimi.
John C. Reilly kthehet me zërin e Ralphit, Sarah Silverman me atë të Vanellopet. Pjesa tjetër e ansamblit shton edhe Taraji P. Henson, e Gal Gadot, në mesin e emrave si Jane Lynch, Ed O’Neill, e Jack McBrayer të cilët kthehen për të reprizuar rolet e tyre.
Dialogu dhe harmonia e dy karaktereve kryesore tashti ka një qasje krejt tjetër në krahasim me filmin e parë, dhe kjo ndikon pozitivisht në atmosferën e filmit. Edhe pjesa tjetër e skenarit është e shkruar mirë, me një aventurë që mbyllet siç duhet. Është një aventurë e këndshme, jo shumë e gjatë, por personalisht më është dukur diçka e tepruar, e shpenzuar me filmin e parë.
Mendoj që ky film ka qenë një ide e mirë për të freskuar si temën ashtu edhe arkat e producentëve, por ka mbetur vetëm duke gërryer pak a shumë bukurinë e filmit të parë. Nuk është humbje kohe për ata që kanë ende ‘hapësirë’ për të mbushur nga filmi i parë. Për mua, mbetet humbje kohe. Nota personale: 2/5