Përkundër që ankona që jam plak, nuk i kam përjetu, e le ma m’i agjëru 30 ramazana, mirëpo, pasi po afrohemi tek cikli i parë i kujtimeve, u ktheva pak në kohë.
Jemi kon ma ngusht, ma kallaballëk, e jemi kënaqë ma shumë.
Më kujtohen Ramazanet e paraluftës, sofra me mbështjellëse portokalle, gjyshja, vëllai e kunata e saj si mysafirë Ramazani, familja jonë. Edhe në syfyr, në acarin e shkurtit, vizita nga kojshitë.
Shpesh edhe ndalej rryma në vitet e para të pasluftës. Dy a tre qirinj, ni kashore bukë, gjithçka bohej në kohë. Sigurisht, unë nuk ninoja se i vogël e hafif. Mirëpo zgjohesha, për shkak të gjumit të lehtë, vetëm e vetëm për të përjetuar atë atmosferë.
Atë atmosferë që edhe sot, gati 30 vite më pas osht ndër kujtimet ma të mira që vazhdojnë të jetojnë, ani pse gjysma e asaj sofre nuk janë më.
Masanej daullja, të cilën shpesh provonim ta imitonim si fëmijë të mahallës duke i rënë gjësendeve të plastikës derisa prisnim të ndizeshin dritat e të lajmëronim se u bo iftari, ani pse deri arrinim ne, ata veç dëgjonin ezanin.
Bonvaki dikush ka bo iftar para kohe e na ka mallku – punë e madhe, Zoti nuk i dënon fëmijët!
Mas iftarit, përgatitjet për teravi, ku shkonim bashkë me mësuesin e dajën, edhe unë larg poteres që bënin ata që në mëngjes e bënin hallakamë në shkollë. Edhe dikur, vëllai i ‘adoptuar’ i cili nisej nga ‘safi’ i pestë, afrohej deri në safin pas meje dhe në çdo sexhde provonte të më ‘xiglonte’ këmbët.
Ashtu qysh qeshin fëmija, pa arsye, skuqeshim deri në fund, ma shumë nga mbajtja e të qeshurave se sa nga nxehti. Ani kur ndalej rryma, bam-bum, kërcitnin në fund. Dëgjohej dera, edhe masanej fjalët e të qeshurat në largësi!
Fëmija.
Tash paria e pleqve të katundit janë të vdekur, e fëmija e kanë kapur botën në kërkim të një jete më të mirë. Nuk kanë mbetur as pleq as të rinj në xhaminë ku kushtet janë më të mira se kurdoherë. Vetëm njerëz që bëjnë tana të zezat jashtë e aty renditen mas hoxhës. Të rinj të cilët nuk kanë kurrfarë respekti për më të vjetrit e për besimin e tjetrit, pos tyrin!
Gjithçka ka ndryshu.
Rryma nuk nalet ma, nuk të narthin këmbët, nuk të ‘xiglon’ kërkush. Kushtet janë ma të mira, ama për kë?
Derisa cikli i parë prej 33 viteve të Ramazanit nëpër një vit kalendari diellor po afron për mua, mendoj nëse do të arrijë të shoh plotësimin e një cikli tjetër në vitet e para të pensionit.
E di që gjanat vazhdimisht ndryshojnë, sepse ky është ligji i natyrës të cilin s’mund ta kundërshtojmë. Ama a mundemi të ndikojmë që ndryshimet të jenë më shumë shpirtërore se sa iftare që shtrohen çdo natë e që ngopin vetëm stomakun derisa shpirti na mbetet i zbrazët?
Ndoshta në mot, nëse e mbërrijmë kismet, do të marr daullen, por për kë, kur të gjithë kemi alarme?!
Ribërja e kujtimeve vetëm sa mund të lëndojë ato. Më mirë të bëjmë diçka të re, për ata që pas 30 viteve do i kujtojnë me një nostalgji të këtillë, por me sa më pak mërzi.
Bravo na qoftë neve që ia dolëm për 29 ditë. Mundemi me vallëzu lirshëm tash, nashta i humbim qato killa që i kemi marrë!