Nga njëqind mënyra për të vrarë Ray Donovanin, Showtime zgjedhin anulimin e papritur, pa i ofruar as edhe një finale të denjë!
Sezoni i shtatë hodhi hapat për një Ray Donovan 2 në Brixheten derisa njëkohësisht do të mbyllte sagën e Mikit, armiqësinë e Donovanëve me Sallivanët. Por, kemi një finale që lë shumë pyetje pa përgjigje, një finale të lënë përgjysmë, për një seri e cila në vete ka mbërthyer një zhanër të veçantë të krimit – disi e heshtur, falë karaktereve kryesore nisur nga Rej, deri tek armiku i tij më i afërt, Miki.
Ndoshta kështu e kanë irlandezët – për dallim nga italianët të cilët ngritin zërin në çdo skenë – flasin pa hapur shumë gojën e zërin!
Nuk më ka pëlqyer së fundmi përfshirja e të dashurit të Brixhetës në seri, aq më pak me bashkëpunimin e tij me autoritetet. Disi ka qenë një shpërqendrim, një zëvendësim për Darrilin, i cili më parë ishte në mesin e atij konopi që ngrihej nga Miki dhe Rej.
Ashtu e heshtur, siç bëjnë shumica e familjeve, ka qëndruar për shtatë sezone çështja e Brixhetës së madhe – motrës së Rejit, nga e cila edhe ka marrë emrin e bija e Rej.
Historia e saj u trajtua në masë të madhe, por mendoj të pamjaftueshme. Si gjithçka tjetër, si çdo histori tjetër, edhe kjo na mbeti në fyt. Nuk kam parë të jemi shumë fansa e shikues të kësaj serie këndej kah ne, por e di që të gjithë jemi të zhgënjyer me fundin. Me prerjen e kësaj historie.
Kjo edhe është një nga arsyet pse nuk kam dalë ta bëjë një përmbledhje të merituar për këtë sezon, për këtë seri. As këto fjalë nuk janë të merituara, por së paku mendoja që me kalimin e muajve do të zbehet edhe jehona e mllefit ndaj anulimit të serisë nga Showtime.
E vërtetë që paksa edhe skenaristët e producentët kishin humbur ‘prekjen e magjishme’ me sezonin e fundit, por kjo shkonte drejt një përgatitje për një sezon final premtues, të cilin s’do e kemi. Nota personale për sezonin e shtatë: 4/5