Filmi nis me një djalë i cili zbret nga një ‘ndërtesë’ e krijuar me mbeturina hekuri, duke kaluar nga njëra në tjetrën që pyetjet e parë që më çon në mendje është se ‘si ngjitet ky atje lart?’ kur të kthehet në mbrëmje në shtëpi, a çfarëdo që duket se është ajo?

Është një botë futuristike e kapluar nga realiteti virtual, në të cilin një nga botët e vendosura është ajo e OASIS. Kur krijuesi i kësaj bote vdes, ai lëshon një video ku zbuluesit të sekretit do t’i japë tërë pasurinë e tij.

Pra, është një film që ka të bëj më shumë me botën e shkencës fantastike, teknologjisë, video-lojërave. Nuk është diçka që kërkon ndonjë njohuri paraprake për të kuptuar, shijuar këtë film. Është një skenar ‘normal’, me një regji të Steven Spielbergut. Mjeshtri i filmave, sidomos të këtij zhanri, nuk zhgënjen as në këtë projekt të tij. filmi ofron një botë mirë të ndërthurur, me ngjarje që përshtaten me ambientin e krijuar aty. Nuk mungon as ngacmimi i limiteve të kësaj bote virtuale, në disa raste.

Sidoqoftë, trajektorja e ngjarjeve mbërthen në vete emocione të ndryshme të cilat na lidhim me karakteret e filmit, sidomos heronjtë tanë. E në mesin e karaktereve vjen e këndshmja Olivia Cooke dhe Tye Sheridan. Këtyre dy karaktereve kryesore, në zhvillimin e ngjarjeve, u shoqërohen edhe Ben Mendelsohn, Lena Waithe, dhe TJ Miller, Simon Pegg, e Mark Rylance. Që të gjithë puthiten me rolet e tyre në mënyrë të mirë, me një punë që nuk mbetet në sfond përkundër pjesës teknike që zotëron filmin si në hapësirë ashtu edhe në kohën sa zgjat.

Puna e Steven Spielbergut, kryhet me zell nga ansambli i lartpërmendur. Edhe ‘Ready Player One’, vazhdon serinë e veprave teknike të kinematografisë së njërit nga regjisorët më të mirë në historinë moderne të filmit. Nota personale: 4/5