Hijet e së kaluarës ndjekin çiftin de Winter kur zhvendosen në Kornuoll, aty ku gruaja e parë e Max de Winter kishte vdekur vetëm një vit më parë, në një aksident lundrimi.
Vdekja e Rebekës, nga çasti i parë i filmit deri në fund do të ndjekë të gjithë të përfshirët në filmin e titulluar në bazë të viktimës në fjalë. Ajo ishte një grua e bukur, e ngritur në shoqëri, e hijshme, që joshte zemrat e të gjithëve që e takonin, përfshirë edhe atyre që nuk duhej. Për të zënë këtë vend në shoqëri, si dhe në jetën e burrit të saj të ri, presioni mbi zonjën e re de Winter shtynë atë drejt greminës, nxitur nga trysnia prej ndihmëses së tyre, zonjës Denvers e cila disi është e mllefosur që ka një zonjë të re shtëpie.
Laurence Olivier e Joan Fontaine vijnë në rolet kryesore. Aktrimi i këtyre doajenëve të filmit është ndër më të mirët në karrierën e tyre. Mishërohen aq mirë me karakteret, përçojnë emocionet e vërteta të kësaj drame sa që na thithin brenda në këtë histori aspak të këndshme. Në njërën anë kemi fytyrën engjëllore të Joan Fontaine e cila jep gjithçka nga vetja që të jetë Rebeka e dytë, e në anën tjetër e kemi Laurence Olivier i cili ndodhet në një udhëkryq të jetës së tij pas një vendimi për rezultatet e të cilit nuk ndjehet i sigurt.
Aktorët në rolet dytësore – George Sanders si kushëriri i Rebekës; dhe Judith Anderson në rolin e ndihmëses së shtëpisë, vetëm sa i japin emocione kësaj histori rrëqethëse.
E kur jemi tek historitë rrëqethëse, kush tjetër pos Alfred Hitchcock!
Është ‘pak’ problem të radhisim kryeveprat e tij, por Rebecca, përkundër një realizimi të pashoq teknik, mbetet në plan të dytë të portfolios së tij. E në vete përmban një histori plot emocione e drithërima fund e krye, që edhe i solli Oskarin për filmin më të mirë të vitit në një konkurrencë që përfshinë super-tituj si ‘The Great Dictator’, ‘The Grapes of Wrath’, ‘The Philadelphia Story’, ‘Our Town’, e ‘Foreign Correspondent’. Secili nga këta meritonte Oskarin, por megjithatë, të gjithë mbeten në një shkallë më poshtë se ‘Rebecca’ si një produkt final kinematografik.
Aktrim, rrëfim, fotografi, film i mrekullueshëm. Nota personale: 5/5