Categories
Journal

Receta kosovare e ‘argëtimit’ (3)

Nuk është faji tek portalet. Është ekonomi e tregut dhe çfarë kërkon tregu, ajo do të ofrohet. Për këtë arsye ka shumë tituj bombastik, mbiemra të shkallës sipërore, dhe CAPS LOCK tituj që bën sa njëri nga tre paragrafët që përbëjnë ‘lajmin’.

Kjo kërkohet nga lexuesit, kjo ofrohet. Problemi qëndron tek reklamuesit të cilët nuk kërkojnë konvertimin e vizitave në konsumatorë, duke u kënaqur edhe me vetëm krijimin e një zhurme për brendin e tyre. Analizimi i konvertimeve, i suksesit të strategjive të marketingut kërkon njerëz, dhe mbi të gjitha investime e njohuri. Për ti gjetur këto nevojitet angazhim, punë; prandaj preferohet rruga më e lehtë.

Pornografia, sporti, serialet turke, dhe lajmet. Janë këto katër shtylla bazë që gjejnë afinitet tek shumica e kosovarëve. Dy të parat janë shtytësit kryesor të operatorëve kabllor dhe satelitor. Dy të fundit i marrim edhe pa ndonjë abonim të këtillë.

Tashti, le ti kthehemi pavarësisë së mediave. Seriozitetit të mediave.

Jam i sigurt, edhe vet njoh gazetarë e njerëz mediash që janë të interesuar të kenë një pavarësi, të jenë media serioze. Por, arsyetimin e gjejnë, me plot të drejtë, tek tregu. Të gjithë duhet të mbajnë veten, familjen, të jetojnë. Të jetosh nuk është falas.

Sado që mund të provosh të bëhesh media serioze, e pavarur, badihava. Nuk vlen ajo thënia ‘ndërtoje dhe do të vinë’. Jo tek ne.

Arti, aktivitetet kulturore, përkrahen nga organizata të ndryshme në vendet tjera. Këto të fundit marrin vlerësim si dhe lehtësime burokratike për kontributin e tyre në edukimin e shoqërisë, artit, kulturës në popull. Tek ne nuk ndodh.

Nuk ka nevojë të ndodh, pasi një popull i kulturuar, i ditur, i edukuar, i mençur nuk u hynë në punë udhëheqësve, jo vetëm politik. Nuk u hynë në punë askujt që merr paratë e popullit në një mënyrë a tjetrën, krejt legale, si nga blerja e produkteve, si nga marrja e vendimeve për tu mundësuar të ardhura edhe në mënyrë indirekte – votat për shembull.

Sa më budalla një popull, aq më lehtë për tu kontrolluar. Prandaj janë katër shtylla që duhet të ngopin budallallëkun tek ne – pornografia, sporti, serialet turke/indiane/latine, dhe lajmet e programet politike. Derisa njëra nga këto katrat është tema kryesore për të cilën bëhet zhurmë, atëherë puna është mirë për barinjtë në krye.

Nuk është faji tek portalet, tek gazetarët, tek televizionet. Faji është tek populli. Atë çfarë kërkon, ajo do ti shërbehet. Për momentin kërkojnë ‘bërlloG’, ‘bërlloG’ do të marrin. Emancipimi shkon më tutje se një status fejsbuku për diplomim mbushur me gabime fillestare në drejtshkrim.

p.s. kisha shkru hala ma shumë për kto tema, ju kisha kallxu që në NatGeo çdo t’dile mundeni me pa ‘Genius’ për Ajnshtajnin edhe jetën e tij shumë normale, ose çfarë filma e dokumentarë me kqyr, ama e di që s’ja vlen… ka shumë sene që s’jon përmend këtu, mirëpo vëmendje e shkurtër prej peshku na qet sot magjistra e profesor doktora që prej klasës tretë fillore nuk kanë lexu asni libër për qef…