Categories
Filma

Revenge (2018) – Recensim

Një ‘filozofi’ të thjeshtë kam kur vjen puna tek ‘realiteti’ i filmave. Tashti, varësisht prej zhanrit, shikuesi zgjedh se çfarë do të shikojë dhe çfarë pret nga filmi në fjalë. Filma si ‘Revenge’, sfidojnë pak kufijtë e ngjarjes që duket të jetë reale. Nejse, sfidojnë goxha në masë, por nuk është se po premtohet që do të mbahet një zhanër që nis në fillim.

Kam parë shumë komente të cilat thonë se filmi kalon nga realja/normalja në abnormale. Nëse pak më thellësisht analizojnë këtë qasje kjo mund të thjeshtohet aq shumë sa që përdhunimi i një femre të konsiderohet normale, dhe ringjallja e saj nga aksidenti në drejtim hakmarrjeje të jetë abnormale. Është një definicion shumë banal, ngjashëm si arsyetimi për mungesën e cilësisë së filmit.

Ndonëse vjen nga një ansambël i panjohur, me një regjisore e skenariste që i bën të dyja punët, ndonëse me mungesë përvoje të madhe, filmi ia del të ofrojë një emocion tronditës përgjatë pjesës më të madhe të filmit.

‘Revenge’ nis në një vend shkretinor ku biznesmen ka marrë dashnoren e tij, dhe dy miq të tij të pasur të cilët do të shkojnë në gjah. Njëri nga miqtë e tij përdhunon Xhenin, e cila në ikje nga treshja përfundon në një pozitë nga e cila ringjallë luftën për hakmarrje. E që nga ky moment, goxha i pakëndshëm, misioni i hakmarrjes ofron emocione drithëruese.

Është film që përmbushë ofertën – një triler që ngjyroset me ngjarje të llahtarshme. Një fotografi e bukur, skenar dhe regji e mirë. Nota personale: 4/5